Nga lista e disa ambasadorëve të rinj të dekretuar së fundmi bien në sy tre: Bardhyl Canaj që shkon në Serbi. Kjo për shkak të rëndësisë që ka ky vend për marrëdhëniet me Shqipërinë. Canaj ka qenë më parë në Izrael si ambasador. 

Qirjako Qirko shkon ambasador në Hungari, pasi largohet nga Britania e Madhe. Qirko ka qenë në kohën e qeverisë Berisha edhe Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme. 

Dhe Artur Kuko. Zoti Kuko është i dërguar i Barjam Begajt në Hollandë. Zoti Kuko është rast i veçantë, ndoshta i papërsëritshëm në historinë e Ministrisë së Jashtme të pas vitit 1991. 

Nuk besohet të ketë diplomat në Shërbimin e Jashtëm që të ketë kohë të pandërprerë shërbimi në misione diplomatike si z. Kuko. Të cilin si emër e mbajmë mend që kur ishim studentë, pra në fillim të viteve “2000. 

Z. Kuko nis karrierën e tij në vitin 1987 si studiues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare për ta mbyllur punën në Ministri në vitin 1992 me detyrën e Drejtorit për Europën. Mandaej nga viti 1992 e deri në vitin 2000 ai qëndron në drejtim të Misioneve Diplomatike, por vetëm në BE, Vendet e Ulëta, apo në Këshillin e Atlantikut të Veriut. 

Në vitin 2000-2002 thirret si Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme për të vijuar mandej deri më sot sërish, pa ndërprerje në drejtim të misioneve diplomatike në BE, NATO dhe së fundmi në Gjermani. Begaj, presidenti i Republikës e ka çuar sërish në shtëpinë e tij të vjetër, në Hollandë. 

Nëse sheh CV-në e këtij personi, aty vëren vetëm emërime, riemërime në një kuadrat vendesh si Luksemburg, Hollandë, Belgjikë, apo Strasburg e tani Berlin, pa u sqaruar se çfarë ka të jashtëzakonshme kjo kandidaturë që duket gati e pazëvendësueshme. Neni 12 i ligjit “Për Shërbimin e Jashtëm” thotë se: 

Shërbimi i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë përbëhet nga Ministria e Punëve me Jashtë, misionet diplomatike dhe postet konsullore

Ne shohim se zotëria e ka justifikuar këtë rregull vetëm në vitet 2000-2002, ndërkohë që Rregullorja e Shërbimit të Jashtëm parashikon vlerësime vjetore e komisione për lëvizjet në misionet diplomatike. 

Neni 39 i ligjit rregullon se një diplomat karriere me gradën përkatëse nuk mund të emërohet në detyra të zakonshme në Ministrinë e Jashtme dhe me gradën “Ambasador” që patjetër e ka z. Kuko, detyrimi është që ai të jetë minimumi në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm. Pagesën ligji e ndërton mbi kriterin e gradës. Po kështu ministri i Jashtëm, për nevoja pune, ka të drejtë të thërrasë në dispozicion për një vit, një diplomat që nuk ka gradë më të ulët se “Këshilltar”. 

Po nëse kjo nuk ka qenë e nevojshme, a nuk do ishte e udhës që kualitete të tilla të çohen për përfaqësim aty ku Shqipëria ka nevojë më shumë, ku janë sfidat më të mëdha diplomatike? 

Aq më shumë merr kuptim kjo pyetje kur ne dimë se qoftë në qeverinë e shkuar, qoftë tani, për raportet me BE-në dhe NATO-n ambasadorë janë vetë kryeministrat. Sidomos në rastin e z. Rama që për shkak të zhvillimeve të ndryshme ka patur rastin që të ketë takime të shpeshta me zyrtarë të nivelit më të lartë të BE-së, çka e bën një kualitet profesional si Kuko peshë parazitare për objektivin kryesor që një diplomat i një vendi si Shqipëria ka de facto: krijimin e aksesit për kryeministrin. 

Nga ana tjetër jemi në kushtet e një hierarkie kundërproduktive pasi me një kohëzgjatje të tillë, dhe madje në të njëjtat vende, bllokohet çdo kualifikim i ri për marrëdhëniet me BE-në dhe dëmtohet besimi shumë i lartë që ka patur deri më tani ndaj Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë. Ambicia për BE-në apo NATO-n, ose për ta thënë troç, për Brukselin dhe Hagën, është syrgjynosur drejt kufijve të ëndrrës, sepse prej dekadash aty sundon vetëm një emër: Artur Kuko. Kush punon apo e njeh atë Ministri, ndër më të dobëtat që ka shteti shqiptar për shumë arsye, e di fare mirë se një gjë e tillë nuk ka kuptim dhe nuk është serioze. Dhe as justifikohet po ta vësh atë në plan krahasues me të gjitha karrierat diplomatike. Ne e dimë që diplomati është një vend pëllumbash dhe të privilegjuarish, ndaj edhe na kap aritmia kur na bie rasti të takojmë ndonjë syresh, por duhet të ketë një kufi për çdo gjë. Nga ana tjetër, ndaj një njeriu që i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë, të gjithëve Ne, shteti ka detyrimin për ta riatdhesuar. 

s.zaimi