Prej kohësh, Belgjika ka një jetë politike kombëtare jofunksionale. Shteti ku kanë selinë Bashkimi Europian dhe NATO-ja, mban rekordin botëror për kohën më të gjatë që i është dashur ndonjëherë një shteti për të formuar një qeveri koalicioni: më shumë se 500 ditë. Tensionet e fundit mes pjesës holandisht-folëse në veri (Flandra) dhe asaj frëngjisht-folëse në jug (Valonia) kërcënojnë një krizë shumë më të madhe. Zgjedhjet e radhës mbahen në qershor 2024 dhe sipas sondazheve të Politico-s, partia e ekstremit të djathtë Vlaams Belang – e cila dëshiron ta kthejë Flandrën në një shtet plotësisht të pavarur dhe të shkëputur – është tani forca më e madhe politike në vend. Tom Van Grieken, i cili e drejton këtë parti që prej moshës 28 vjeç, ka plane për pavarësinë, nëse fiton zgjedhjet.

“Ne besojmë se Belgjika është një martesë e detyruar”, thotë ai për POLITICO.

Nëse njëri prej “partnerëve” do divorcin, ne do të ulemi të flasim si të rritur… duhet të arrijmë në një ndarje me mirëkuptim. Nëse ata nuk duan të ulen në bisedime me ne, ne do ta bëjmë ndarjen në mënyrë të njëanshme.

Edhe për shumë prej 12.6 milionë banorëve të vendit, fundi i afërt i vendit të tyre mund të jetë befasi. Betejat e vështira midis veriut dhe jugut janë ftohur vitet e fundit. Qytetarët flamandë, dikur të dobët, pavarësisht se ishin më të shumtë në numër se homologët e tyre frëngjishtfolës, tani kanë të drejtat gjuhësore dhe kompetencat politike që kërkuan prej kohësh. Por ndërkohë, në BE ka një rigjallërim të ekstremit të djathtë. Partitë populiste antiestablishment po fitojnë sërish terren, ndërkohë që Europa lufton me inflacionin e rritur dhe emigracionin në dyert e saj. Belgjika është një nga vendet me numrin më të madh të kërkesave për azil, të cilat mbeten ende në nivelet e vitit 2015.

Çështja e emigracionit është kali i betejës për Vlaams Belang dhe vota për të pritet të jetë masive. Bart De Wever, kreu i partisë nacionaliste flamande N-VA, thotë se i njëjti trend po shihet kudo nëpër Europë, ku qytetarët e vendeve anëtare kanë filluar të ndihen “ekonomikisht të braktisur nga elitat e tyre”.  

E djathta ka ditur ta kapitalizojë këtë kauzë dhe kjo e ka bërë edhe vetë partinë e tij të dytën në Flandër, pas Vallams Belang. Votuesit e të dyjave e shohin emigracionin si çështja më e rëndësishme politike, e ndjekur nga taksat dhe ekonomia. Van Grieken thotë se pavarësia e flamandëve është pika e parë e programit të tyre. Nëse fiton, ai do të ketë mundësinë e zgjedhjes së një partneri për koalicion, i cili ka gjasa të jetë N-VA. Më pas, qeveria flamande mund të shpallë një deklaratë sovraniteti për të detyruar partnerët e koalicionit frëngjisht -folës të negociojnë fundin e Belgjikës, siç e njohim sot.

Megjithatë, edhe nëse Van Grieken fiton, pengesat për të arritur në këtë pikë janë disa. Brenda vetë N-VA ka mosmarrëveshje të ashpër në lidhje me Vlaams Belang si partnerë në qeveri. Një veprim i tillë Por edhe nëse N-VA hedh hapin për t’u bashkuar me të djathtën ekstreme, krahu frëngjistfolës i politikës belge ka të ngjarë të mos ulet në tryezën e negociatave, të paktën jo që në fillim.

Në çdo rast, secili prej këtyre opsioneve do të krijonte paqëndrueshmëri të mëtejshme politike në Belgjikë, gjë që sërish do të ndihmonte promovimin e kauzës së pavarësisë. Kryeministri belg Alexander De Croo, i cili aktualisht udhëheq një koalicion të vështirë shtatë-partiak, erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2019. Negociatat e vështira 500-ditore për të arritur qeverinë e re janë pasuar me mosmarrëveshje të herëpashershme brenda saj. Dobësimi i mëtejshëm i partive të qendrës do ta bënte edhe më të vështirë formimin e një qeverie të koalicionit kombëtar. Ivan De Vadder, reporter veteran dhe njohës i mirë i politikës belge, parashikon hyrjen e vendit në një rreth vicioz.

Për mua, ajo që do të ndodhë në nivelin federal është shumë më eksplozive, sepse rrezikojmë një bllokadë totale të institucioneve politike… Kjo është shumë më e dëmshme për mbijetesën e Belgjikës sesa vetë ideja e shpalljes së pavarësisë nga Flandrës