Në një deklaratë për mediat një zyrtare e Partisë Demokratike, krahu i Rithemelimit, Ina Zhupa, ka folur për gërmimet arkeologjike në Butrint. Ndër të tjera zonja në fjalë ka bërë këtë vërejtje: 

Koncesioni i Butrintit sot është në Gjykatën Kushtetuese, por kjo nuk e ndalon koncensionarin AADF në formën e fondacionit, që të zgjedhë kush do të gërmojë dhe të vazhdojë me gërmimet në qytetin antik. Së fundmi, i përzgjedhur është David Hernandez. Për ata që ky emër nuk u thotë asgjë, dua t’ju njoftoj që ky është një studiues kubanez, dhe një nga autorët bazë që ka zgjedhur AADF, në planin e menaxhimit të Butrintit. Sigurisht edhe student i antishqiptarit me famë Richard Hodges, që si anëtar i bordit të drejtorëve, vazhdon me tezat e tij kundra shqiptareve. 

Sipas Hernandezit, i cili gërmon në Butrint prej kohësh, në këtë qytet antik nuk ka asnjë gjurmë të popullatave lokale të njohura me emrin e kaonëve apo të prasaibëve. Pra sipas tij, nuk ka asnjë gjurmë të paraardhësve tanë.

Ai thotë se nuk është asgjë më shumë se një koloni greke ku çdo gjë ishte greke dhe e ardhur nga deti. I pyetur me të drejtë nga Mema mbi fatin e vendasve, Hernandes thotë se vendasit thjesht vinin dhe iknin me dele në një qytet tërësisht grek. Pra, ne jemi barinj dhe Butrinti është grek. E njëjta teori që përpiqet të vërtetojë e të lartësojë edhe Richard Hodges. Një e pavërtetë e madhe dhe qendrim antishqiptar pa asnjë evidencë historike.

A ka dëm më të madh se ky që mund t’i behet një vendi se sa Butrintin, pasuri botërore UNESCO, t’ia zhdukësh identitetin e paraardhësve tanë, t’i mohosh historinë, vlerat kulturore? Ky dëm nuk zhbëhet me shekuj nëse tjetërsohen gjetjet, prishen provat materiale, keqinterpretohen, manipulohet e vërteta. Ndaj konventa e Parisit ka detyruar shtetin palë të jetë përgjegjës, sepse duhet jetë përgjegjës për historinë e identitetin të vet, dhe jo fondacionet private me individë privatë me interesa meskine, në këtë rast antishqiptare

Që shpallet këtu pasardhëse e kaonëve në PD. 

Ka një shprehje: hedh një budalla një gur në lumë, e 100 të mençur nuk e gjejnë dot. Në këtë rast për "Gurin e Hernandezit dhe Hodges antishqiptar" asnjë i mençur nuk u hodh ta gjente, por u hodhën 100 budallenj të PD-së. Me budallenj e kemi fjalën për një metaforë, pasi zonjat dhe zotërinjtë në fjalë, përfshi pasardhës të prasaibëve në Facebook, janë padiskutim të mençur mjaftueshëm sa për ta justifikuar genin ilir që me siguri e kanë. 

Përtej kësaj, është e pabesueshme sesi një forcë politike katandiset në këtë derexhe. Me finokërinë karakteristike është zgjedhur një person si Zhupa, me zero kredenciale në këtë fushë, që të përsërisë nga selia e partisë së vet një status "polemik" të Auron Tares që luan prej kohësh me patologjinë e patriotit të shqetësuar.

Pse nuk zgjodhi një arkeolog kjo parti për të thënë kësi gjërash, që janë marrëzira? Cili interes, cili standard i vendos kërkimet mbi kritere kombësie? Pse nuk e kërkon komplotin antishqiptar edhe në Lin kjo zonjë, meqenëse me logjikën e mjerë që e përshkruan shqipen e tekstit të saj, do të dilte identiteti ynë edhe në palafitet e Linit. 

Butrinti është zbulim arkologjik i të huajve dhe është i tillë jo nga rrëfenjat e paraardhësve të imagjinuar të z. Tare apo Ina Zhupës që për nga mbiemri është nga aty afër. Por për nga rrëfimet e atyre që ia bënë historinë atij vendi, në mos edhe ia shpikën, duke frymëzuar mandej arkeologë. Cila mendje e sëmurë e kërkon komplotin ndaj kulturës dhe identitetit te rrënojat e Butrintit, që është dokumentuar në përgjithësi se çfarë përfaqëson dhe cilat janë etapat e tij të zhvillimit? 

Me çfarë përfaqësohet në Butrint, rrënojat e atyshme identiteti dhe kultura materiale shqiptare që të mund të ngrihet një komplot i këtillë për ta zhbërë atë? Lufta me mullinjtë e erës që bëhet këtu tradhëton një tezë që as pranohet më si e qëndrueshme derisa nuk është provuar: praninë kulturore ilire në Butrint, elementë të dallueshëm të fiseve epirote aty për të mundur sadopak ta barabarizojmë Epirin që të mund ta bëjmë tonin. E duke e barbarizuar me fjalët e helenëve ne e shpallim ilir. Më tutje çdo gjë është e qartë: ne dihet që vijmë nga ilirët dhe ja Butrinti është i yni. Që duhet të gërmohet nga “arkeologët tanë të mrekullueshëm”.

Do vijë një ditë që këto marrëzira province do tentohet të harrohen e fshihen, por ato në të vërtetë duhen ruajtur si pasuria më e madhe sepse nuk ka mënyrë më origjinale dhe autentike për ta dokumentuar një kohë sesa lista e gjatë e pasthirrmës ilire në katalogun e kopjuar të intelektualëve si këta.

s.zaimi