Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtonte dy ditë më parë vdekjen e Marko Boçarit me një status në Facebook: 

SiSot, 200 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari. 

Heronjve u kujtohet ditëlindja si fillim i veprës së tyre dhe datëvdekja si fillimi i lavdisë së tyre. Por, disa syresh lavdia u fillon që në gjallje. Mes tyre bënte pjesë Marko Boçari, i cili lindi në Sul të Çamërisë më 1788 dhe ra në betejë më 9 gusht 1823…

Statusi vazhdon mandej me përshkrimin e shkurtër të akteve të Boçarit në luftë kundër otomanëve. 

Përcaktimi i dikujt si atdhetar kërkon disa kritere, pasi me përkufizim atdhetar është dikush “që e do atdheun e popullin e vet dhe që u shërben atyre me besnikëri, ai që lufton me vetëmohim për të mbrojtur interesat e vendit të vet”. 

Boçari hyn ndër ata njerëz që historia e thirri në skenë duke ia zgjeruar rrezen dhe qëllimin e luftës së tij. Sipas një historie të mirëdokumentuar betejat e Sulit me Ali Pashë Tepelenën udhëhiqeshin nga interesa klanore dhe territoriale, por jo nacionaliste. Ishin ngjarjet ato që e çuan edhe Aliun, por edhe suljotët, drejt një konfrontimi me Portën që iu nënrendit apo u koordinua me ideologjinë nacionaliste greke. 

Në këtë kuptim Boçari mund të jetë për Greqinë, pak a shumë dhe jo vetëm, ajo që është Garibaldi për Italinë; një figurë e veprimit, por në tutorialitetin e Kavur dhe Savojave. Armatolët dhe komitët kanë nevojë të ritrajtohen në historiografi, pasi përfaqësojnë dy anë të historisë së afërt dhe vërtet ishin instrumente në arritjen e pavarësisë kombëtare të vendeve të Ballkanit, por vështirë se dikush prej tyre përmbush përkufizimin e atdhetarit. Atdhetarizmi kërkon një ndërgjegje mbikrahinore, ndërkohë që statusi i DPA-së që e vendos Sulin në Çamëri, ruan një tingëllim dyfish politik.

Por ajo që ka më shumë rëndësi, nisur nga fakti se statusi që merr nuanca propagandistike origjinon nga një institucion që flet në emër të dokumenteve është pyetja: pse Boçari është atdhetar? 

Aktiviteti i tij u ushtrua në Greqi dhe për Greqinë në fundin e jetës së vet. Ka lënë një fjalor shqip-greqisht, por si e bën kjo atdhetar në atë sens që e sjell DPA? 

Është një pyetje që pakkush ka dëshirë t’i përgjigjet, sepse kjo mania për të tregtuar në opinion sajesa të tilla, nuk është e lehtë të ikë. Dhe ka një dozë të madhe hipokrizie nëse mbajmë parasysh se mobilizimi në atë kohë udhëhiqej më tepër nga ndjenja fetare, që edhe të identifikonte në pjesë të madhe. Për të ardhur keq! 

s.zaimi