Pjesëza e mëposhtme, shkëputur nga vepra e një autori bashkëkohor grek, vjen si ndihma e duhur për të kuptuar natyrën e debatit aktual mes një pjese të grekëve dhe një pjese të madhe shqiptarësh. 

Në fakt më mirë do duhej ta quanim zënkë, pasi këtu hyn në veprim një garë faktesh nga kronika historike, por jo diskutimi mbi qëllimet e heronjve të cilët kanë mbetur në doganën greko-shqiptare, si apatridë. 

Zënka është asimetrike megjithatë. Pala greke ka punime shumë serioze mbi periudhën dhe të periudhës. Ne kemi një roman të Sabri Godos, ca punime periferike të Akademisë së para viteve ’90 dhe tifozerinë televizive. Për shqiptarët, Boçari, sikurse Ali Pasha, janë impulse në krenarinë e një ndërgjegjeje pushteti, pavarësisht se i çfarë lloji. Mjafton që yzmeqarë mos të kemi qenë. Njësoj si krenaria e mediave sot për çdo kriminel shqiptar që ”bën ligjin” nga Londra në Zanzibar. 

Kërkohet etnia e Boçarit, ndërgjegja e tij dhe vetë kjo çështje tradhëton në fakt ngushticën e madhe të nacionalizmit për heronj të një kohe tjetër: Boçari ka vend në Greqi, ne duam origjinën ta hipotekojmë. Ndërgjegja e një arvaniti është realitet endemik i Greqisë, ne kërkojmë ta denoncojmë si të rreme duke ngjizur një polemikë pa sens. E megjithatë edhe në aspektin letrar, të “eposit” nëse duam, pyetja: Çfarë ishe ti Marko?, mbetet kurioze.

s.zaimi

***

 -Marko, mirëmëngjes. Të shkruaj pas kaq vitesh, pasi kam brenda meje disa pyetje për ty, që janë të papërgjigjura…

-Më thuaj, çfarë është ajo, që do të mësosh.

-Fillimisht, të të them, që të adhuroj, je heroi im i dashur. Mendoj, që në Panteonin e heronjve grekë je nga korifenjtë…Para disa kohësh, bëmë një dokumentar me një regjisor anglez për suliotët. Nuk ramë dakord në lidhje me identitetin e suliotëve dhe u detyrova të marr mbrapsht firmën time për shkak të kësaj ngjarjeje.

-gtCila ishte mosmarrëveshja juaj?

-Ai mbështeste idenë që jeni shqiptarë dhe që konflikti mes jush, suliotëve e Ali Pashës, ishte një përplasje e brendshme mes shqiptarësh…

-A, kështu tha? Dëgjo patriot. Në radhë të parë ne jemi të krishterë ortodoksë dhe ai mysliman. Ne jemi rum milet dhe ai muhamedan. Ne myslimanët, i quanim turq. Nuk marr vesh nga “konflikte mes shqiptarësh”. Ai ishte pasha satrap muhamedan, që s’e pranonte dot pavarësinë tonë e rezistencën e suliotëve ndaj synimeve të tij pushtuese. Ne deshëm të ishim të lirë e vetëqeverisës…

-Marko unë mbështeta idenë, që pjesa dërrmuese jeni arvanitas, por që vetëdija juaj kombëtare ishte greke. E kam mirë apo gabim?

-Unë ajo çka di e dua të të them, është që flisnim arvanitçe mes nesh, por burrat dinin edhe greqisht. Ne deshëm lirinë tonë dhe luftuam jo vetëm për ne, por për të gjithë të krishterët e rum miletit e grekët. Të gjithë ne, arvanitas, grekë e ortodoksë të tjerë, na bashkonte besimi i përbashkët dhe lufta kundër pushtuesve.

-Ti Marko, shkruajte edhe një fjalor greqisht-arvanitisht. Përse e bëre këtë? Për ç’qëllim?

-E bëra, që të mësonin greqisht gjithë tanët, pasi, sikurse të thashë, nuk dinin të gjithë.

-Dhe përse të mësonin greqisht?

-Sepse ajo ishte gjuha zyrtare, gjuha e njerëzve të arsimuar, gjuha e librave. Madje edhe vetë Ali Pasha, këtë gjuhë përdorte dhe kishte grekë të lëçitur e shkencëtarë të ndryshëm në oborrin e vet. Kur të krijonim shtetin tonë, këtë gjuhë do të kishim…Arvanitishtja nuk shkruhej, nuk ekzistonte asnjë poezi e shkruar apo letërsi e shkruar…Ishte gjuha e familjes mes nesh, si të ta shpjegoj…

-Marko, nëse Aliu do të krijonte shtetin e tij grekoshqiptar, ju çfarë do të bënit?

-Ne do të luftonim për truallin tonë dhe për Krishtërimin, për shtetin e rum miletit…

-Vërej që nuk e quan grek, por rum…

-Atëherë kështu i thoshim. Sepse ka qenë rum mileti, i cili njihej nga Sulltani dhe kishte si prijës Patriarkun e Konstandinopojës. Kështu, krejt ortodoksët ishim një…

-Tani i themi grek dhe të gjithë vetëquhemi grekë…

-S’e di… Kështu mund të jetë më mirë, sepse na bashkon me të lashtët dhe futemi të gjithë poshtë së njëjtës strehë, në mënyrë, që mos të ekzistojnë raca e etni të ndara këtej e andej, por të jenë të gjithë grekë…

-Marko, besoj e di, se çfarë ndodhi pas vdekjes sate?

-Nuk kam informacion në botën e poshtme, por do të isha i lumtur, nëse Suli e suliotët vazhdojnë të jenë të lirë dhe gjithë rum mileti është i bashkuar e i fuqishëm

 Shkëputur nga libri i Vasilis Niciakos “Etno – Vatër - Vendore” 
 
Vasilis Niciakos ka studiuar për Filologji, Folkloristikë dhe Antropologji Sociale në Universitetet e Janinës, Leeds dhe Cambridge. Ai punon si pedagog i Folkloristikës Sociale në Universitetin të Janinës.