Në një intervistë me një gazetar të gazetës “Kathimerini” – që është shfaqur i lumtur nga fakti që po fliste me Edi Ramën – kryeministri i Shqipërisë, ka thënë ndër të tjera për çështjen “Beleri” se:

Arsyeja pse u tregova i ashpër me të ishte se ai bëri disa deklarata shumë, shumë të papranueshme, të tilla si “do të çonte përpara procesin e ndërprerë të helenizimit të Himarës”. Kjo është diçka që nuk mund të thuhet në Europë, në këtë Europë. Kjo vjen nga një e shkuar e errët dhe shumë e largët. Pastaj, sigurisht, edhe të tjera që nuk ishin realisht aspak të mira. Fliste sikur ishte atje për të çliruar Himarën, nuk e di prej kujt, po mund të flasim për këtë. Sidoqoftë, po ju bëj një pyetje retorike: “Nëse unë do të kisha dijeni që kishte një hetim të nisur nga denoncimi i dikujt dhe të angazhuar nga prokuroria, do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të ashpër? Po ta dija që ai do të arrestohej, do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të drejtpërdrejtë? Mendoj që, jo, sepse mund të mos jem njeriu më i mençur në botë, por nuk jam edhe më budallai në botë dhe ky do të ishte një budallallëk i madh. Arrestimin e tij e mora vesh kur policia ishte vënë në veprim dhe telefonova drejtorin e policisë e i thashë: “Çfarë është kjo?” Më tha: “Kemi një mandat arresti nga prokuroria dhe bazohet mbi prova bindëse për blerje votash”. I thashë: “Dëgjo, bëni mirë të jeni të sigurt për atë që po bëni, sepse kjo mund të marrë shumë për keq dhe duhet të mbështetet mbi prova bindëse. Megjithatë paçi fat”. Kjo nuk ishte diçka në të cilën isha i përfshirë, aksioni po zhvillohej tashmë. Tani, më bëni pyetjen tjetër

Ta lëmë faktin se kjo është një nga ato përgjigjet e dobëta të dikujt që nuk e ka problem ta hajë aty ku bën të pëgërët, e të pyesim: pse fitoi Beleri? Pse fitoi një i këtillë që vinte nga një botë tjetër? Pse i mori votat e shumicës në zonë, ndonëse foli çapraz siç pretendon kryeministri?

Nga ana tjetër, është i pabesueshëm fakti se kryeministri nuk dinte që një kandidat përballë tij, në një zonë me rëndësi të posaçme, nuk paska qenë në hetim. Dhe se zotëria – që flet për rezultat elektoral që ditën e zgjedhjeve – të mos ketë ditur se çfarë bëhej në Himarë, se si ishin të dhënat aty dhe se çfarë po ndodhte. Pusulla e mësipërme në foto është publikuar prej tij më 14 maj dhe është pak e besueshme se vetëm për Himarën të mos ketë ditur gjë z. Rama.

Ajo që ne shohim këtu dhe dëshmojmë, është fakti i pritshëm dhe i kuptueshëm për ata që e njohin këtë person në jetën publike, se ky ishte i vetmi që mund ta kreditonte me dinjitet politik Fredi Belerin. Vetëm Edi Rama mund ta bënte Belerin të dukej viktimë dhe ia del për këtë sa me budallallëkun politik, sa me mendjelehtësinë se do ta kalonte këtë si goditje të suksesshme që do i jepte terren edhe brenda, aq edhe me mënyrën sesi dredh bishtin me një gazetar nga Athina, edhe kur atij po i shkojnë jargët nga gëzimi se po merr me skype intervistë Edi Ramën. Të cilin e quan edhe reformator.

s.zaimi