Eduard Zaloshnja, që merret me sondazhe, ka dalë sot me një thirrje për vigjilencë ndaj INSTAT që i bën thirrje të ketë kujdes sepse nga Greqia mund të vijnë autobuzë me himarjotë që do deklarohen grekë e mandej do ikin. E kështu, në kundërshtim me parimin e Censusit që po zhvillohet, do regjistrohen edhe ata që nuk banojnë në Himarë. 

Duke besuar se zotin Zaloshnja e sëkëlldis pikërisht shkelja eventuale e parimit të Censusit, pyetja që shtrohet megjithatë është: ku e di z. Zaloshnja se ata që vijnë nga Greqia do deklarohen grekë? D.m.th mbi cilën analisë statistikore e bazon këtë gjë zotëria, meqenëse flet përherë me shifra? 

Asgjëkundi. Me intuitë. Ajo që nuk i mungon një shqiptari safi. 

Nuk është vetëm ky moment që ilustron sëmundjen e rëndë që ka përfshirë fshatin shqipfolës të quajtur Shqipëri. P.sh këto dy ditë ka raportime se Bullgaria(përfaqësues të ndryshëm) po bën presione që banorët e Pustecit të deklarohen bullgarë, përndryshe do humbasin pasaportat që kanë marrë. Me këtë çështje nuk merret askush, ndoshta sepse pakica bullgare në Shqipëri është shpikje telefonike e moderatorit të OKB-së që e ka strategji personale të bëjë çfarë i thonë. 

Të regjistrosh njerëz që nuk banojnë këtu, është patjetër shkelje e parimeve të Censusit dhe z. Zaloshnja i ka bërë një shërbim kombit që e ka vënë në dukje. 

Por të shantazhosh njerëzit që të deklarohen atë që do një shtet i caktuar çfarë është? 

s.zaimi