Sali Berisha, personi që lajmëroi arrestimin në Hollandë të Arben Frrokut, shkon më tej me denoncimet e tij për këtë çështje, duke akuzuar policinë si të implikuar në arratisjen dhe fshehjen e Frrokut. Ish-kryeministri i mëshon fakteve se largimi i Arben Frrokut nga Shqipëria është ndihmuar nga policia me urdhër politik të kryeministrit Rama.

Berisha në një postim në Facebook përmend emra konkretë në radhët e drejtuesve të policisë, që sipas tij refuzuan të dërgojnë të dhënat për Arben Frrokut autoriteteve të Hollandës.

"Pas arrestimit te Frrokut me dt 5 mars ne Hollande, Rama urdheroi Ardian Çipen dhe nje ndrikulle ne Interpol Tirana (qe kishte bllokuar dokumentat belge per vrasjen e Mark Frrokut, pra vellait te Arbenit) per te mos i derguar asnje te dhene Interpolit te Hollandes, ne menyre qe te kalonte afati i paraburgimit dhe Frroku te kerkonte, njelloj si shqiptaret e tjere, azil politik nga regjimi i Edi Rames dhe qeveria e tij, nje organizate e vertete kriminale"-shkruan Berisha në facebook. Emri i Ardian Çipës, i përmendur nga ish-kryeministri Berisha për zbatimin e urdhërit politik është nga oficerët e rinj të karrierës në policinë e shtetit, i cili gjatë 3 viteve të qeverisjes socialiste ka njohur ngritje në detyrë, ndonësë pas disa ngjarjeve kriminale u largua nga detyra e drejtorit të policisë së Tiranës me motivacionin e specializimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.