Heqja e vizave duket se u ka hapur rrugën e emigrimit qytetarëve të Kosovës. Një analizë e institutit GAP në Prishtinë konkludon se rreth  33% e të pyeturve nën 24 vjeç thonë se duan të largohen nga vendi.

“Në kuadër të hulumtimit kemi bërë një anketë gjithëpërfshirëse në nivel vendi, me pjesëmarrje të një mijë e 66 personave. Disa nga gjetjet kryesore të anketës janë se rreth 28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi moshën 18-vjeçare planifikojnë të migrojnë në tre-mujorin e parë të këtij viti pas liberalizimit të vizave. Grup-mosha nën 24 vjeç është grup-mosha më e prirur për të migruar me 33 për qind”, tha Anisa Zogaj, një nga hulumtueset e këtij studimi.

Largimi i të rinjve, një fenomen me të cilin edhe Shqipëria është përballur vitet e fundit, do të reflektohet menjëherë në mungesa në tregun e punës.

Sipas studimit, në Kosovë, të parët që preken janë sektori i ndërtimtarisë me 18.7 për qind, po ashtu në këtë përqindje preket edhe sektori i hotelierisë dhe gastronomisë, tregtisë me 18.1 për qind dhe prodhimit me 12.9 për qind.