Futbollin shqiptar  këto vitet e fundit e ka udhëhequr sllogani “O sa mirë me qenë shqiptar”, frazë e përzgjedhur edhe  si sllogani shoqërues i autobusit të kombëtares shqiptare në finalet e Euro 2016. Por si gjithmonë ka dy anë të medaljes: krenaria me sllogane dhe drone dhe realiteti i futbollit në fushat e Shqipërisë. Pamjet i takojnë takimit Pogradeci-Luftëtari, i vlefshëm për javën e parafundit të kategorisë së Parë. Sfida ishte vendimtare për ngjitjen në superligë të dy ekipeve. Barazimi i gjirokastritëve solli reagimin e tifozëve vendas.  Pak sekonda pas përfundimit, treshja e gjyqtarëve iu drejtua dhomave të zhveshjes nën shoqërinë e forcave speciale. Më pas gjithçka degradoi në një përleshje masive. Në fushë u panë  edhe civilë që u përfshinë në sherrin mes futbollistëve. Një lojtar i Luftëtarit përpiqet t’i shpëtojë ndjekjes nga një futbollist i Pogradecit dhe tifozë të skuadrës vendase. Pak metra më tutje futbollistë dhe zyrtarë të dy klubeve shkëmbëjnë grushta e shkelma, ndërsa portieri i skuadrës mike tërhiqet zvarrë. E njëjta situatë edhe në Peshkopi ku tifozët goditën lojtarët dhe stafin e Kastriotit. Edhe në këtë takim po luhej për një vend në Superligë. Në drejtim të futbollistëve janë lëshuar sende të forta duke i rrezikuar seriozisht ata. Ekipi i Kastriotit u largua nga stadiumi vetëm me ndihmën e forcave të ndërhyrjes së shpejtë. 

sherri pogradec by trelosjermatis