Pjesa më e madhe e parave që i akordohen Ukrainës si ndihmë nga SHBA, shpenzohet brenda kufijve të kësaj të fundit.  

Në një intervistë me CNN, Victoria Nuland, e cila aktualisht ushtron detyrën e zv.sekretarit të Shtetit për Çështjet Politike, thotë se pret nga Kongresi miratimin e paketës së ndihmave.

“Duhet të kujtojmë se pjesa më e madhe e këtyre parave do të kthehen menjëherë në ekonominë e SHBA-së, për të prodhuar armë, duke përfshirë punë me pagesë të mirë në rreth dyzet shtete në të gjithë SHBA-në”, tha ajo.

Në fillim të këtij muaji, Kongresi bllokoi projekt-ligjin e kërkuar nga presidenti Biden për një paketë ndihme në vlerë 60 miliardë dollarë për Ukrainën. Shumica e këtij fondi do të shkojë për armë. Paketa pritet të rihidhet për diskutim sërish më 28 shkurt.

Pak kohë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se pjesa më e madhe e ndihmës financiare për Ukrainën shpenzohet në vend për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Njësoj si Nuland, në fund të vitit të kaluar, ai deklaroi se nga paketat mbështetëse për Ukrainën "do të përfitonin biznesi amerikan, komunitetet lokale dhe do të forcohet baza industriale e mbrojtjes së SHBA".

Përgjatë viteve 2022-2024, sipas Institutit Kiel në Gjermani, SHBA i ka akorduar Ukrainës 68 miliardë euro (73.7 miliardë dollarë) ndihmë, 43 miliardë euro (46.6 miliardë dollarë) prej të cilave janë ndihmë ushtarake.