Me shkrimtarin Telemak Koça na lidhin shumë të përbashkëta. Shtëpitë tona në Athinë janë shumë afër njëra-tjetrës, kemi që të dy origjinë dropullite, ai nga Dropulli i Sipërm dhe unë i Poshtëm, ka kryer studimet e mesme në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës bashkë me nënën time dhe kam pasur nderin të organizoj prezantimin e librave të tij në kuadrin e projektit “Kronikë në Dropull” në vitin 2016 në fshatin Derviçan. Para se të njihesha me librat e Telemakut, njohuritë e mia mbi letërsinë e shkrimtarëve minoritarë grekë në Shqipëri e Greqi, ishin inekzistente. Madje, nuk mund të mohoj, që kisha një përqasje paragjykuese, duke e konsideruar si krijimtari folklorike dhe me nuanca nacionaliste, derisa zbulova me habi e admirim veprat e Telemakut, që jo rastësisht radhitet ndër shkrimtarët e njohur në Greqi.

Pas njohjes me letërsinë e Telemakut, pyetja që më lindi natyrshëm është, se përse popullariteti i pjesshëm që gëzon në Greqi, nuk është përçuar sadopak edhe në Shqipëri. Ndoshta kjo ka të bëjë me faktin, që shumë tema e subjekte vazhdojnë të jenë ende tabu për opinionin letrar e publik shqiptar, sidomos kur bie fjala për letërsinë e pakicave të huaja. Libri i tij “Në bregun përballë” (Botimet Toena), që është përkthyer edhe në shqip, është një libër, që meriton të lëvrohet më gjerësisht, qoftë për nga tematika, qoftë për nga problematika që ngre dhimbja njerëzore. Pavarësisht, se ngjarjet përqëndrohen kryesisht në kufirin greko-shqiptar dhe ngjajnë se kanë një karakter më lokal, mesazhet që përcjell janë universale, njëjtë me ato të filmit gjerman “Jetët e të tjerëve” dhe të letërsisë, që i kushtohet jetës në sistemet totalitare. Telemaku është autor i mbi katërmbëdhjetë librave në greqisht dhe përkthyes i dy veprave të Kadaresë, krahas përkthimeve të tjera.

Këtë herë do të takohemi në Bruksel, ku ai ka ardhur të vizitojë të bijën, një e përbashkët tjetër, që i është shtuar marrëdhënies sonë. Telemaku nuk ankohet për grinë e rëndë plumb të qiellit belg, siç ndodh rëndom me pjesën më të madhe të vizitorëve mesdhetarë në Belgjikë. Parapëlqen që biseda të bëhet në gjuhën tonë amtare, në dialektin dropullit, ndonëse për qëllimet e intervistës, do të ishte lehtësuese për mua në shqip. Kam përballë nxënësin më të mirë të gjimnazit "Asim Zeneli", kooperativistin që punoi 20 vjet në kooperativë, duke paguar dënimin e familjarëve të vet dhe shkrimtarin më të njohur të minoritetit grek të Shqipërisë.

***

Shkova në Greqi, që të zhvillohesha si shkrimtar në gjuhën greke. Nëse do të jetoja ende në Shqipëri dhe do të shkruaja në greqisht, në gjuhën e minoritetit, do të më lindte pyetja ‘’vallë për kë shkruaj?’’. Greqishtja ime ishte e cunguar, pasi vetëm filloren kam kryer në greqisht (por edhe gjer në klasën e shtatë, gjuhë e lexim greqisht një orë në ditë) dhe në atë kohë nuk kishte as televizor, dhe as libra në gjuhën përkatëse, që ta kultivoja më tej. Emigrova drejt Greqisë, me pasuri të vetme greqishten e familjes, atë të këngëve dhe poezive popullore. Po të marrim parasysh që gjuha greke është një oqean gjigant, unë lundroja në këtë oqean me varkëzën time të vogël gjuhësore.

Pavarësisht se isha ndër nxënësit më të mirë të gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, nuk m’u dha e drejta të vazhdoja studime universitare, pasi im atë kish bërë 7 vjet burg për agjitacion e propagandë. Im atë qe komunist, por ishte gojëlëshuar (u shpreh kundër krijimit të kooperativave bujqësore dhe erdhi në kundërshtim me vijën e Partisë) dhe bashkë me vëllain e tij të madh Vangjelin, dolën para të njëjtit gjyq në vitin 1959, ku u dënuan 8 vjet njëri dhe 15 vjet tjetri. Vëllai tjetër i tyre, Jorgo Koça, ishte prokuror, por pas dënimit të babait tim e ulën në detyrë. Kurse vëllai më i vogël Petro Koça, i cili pat kryer studimet në Hungari e në Bashkimin Sovjetik, punonte si pedagog në Universitetin e Tiranës. E njihnin të gjithë doktorët e Shqipërisë, pasi jepte kimi organike. Jorgo Koçën nga prokuror, e çuan të punojë si drejtues në një fabrike qelqi, por më pas e hoqën edhe nga atje, ndërsa Petron e shpunë të punonte në Vlorë si kimist. Përpos kësaj, Jorgo Koça ka qenë edhe përkthyes mes Niko Zahariadhit, udhëheqësit historik të partisë komuniste greke dhe Enver Hoxhës.

Historiku i akuzave në familjen tonë është i hershëm, sepse përpara burgimit të tim eti dhe vëllait të tij, babai i tyre, pra gjyshi im, u akuzua në vitin 1945 si agjent grek. E futën në burg me akuzën e rreme se kishte mbledhur 150 luftëtarë në Dropullin e Sipërm për ta çliruar. Arriti të dilte falë të birit Jorgo Koçës, që në fillim ishte prokuror në Gjirokastër e pastaj në Tiranë dhe kush e di sa dënime me vdekje kish dhënë. Doli nga burgu në gjendje të rëndë shëndetësore, nga uria, të mosushqyerit. I biri, Jorgo Koça ishte i martuar me motrën e Spiro Panos, dropullit edhe ai, komunist i Shkodrës, që arriti madje të bëhej dhe nënkryetar i Këshillit të Ministrave. Por, me heqjen e Jorgo Koçës për shkak të burgosjes së vëllezërve të tij, njëra pasojë solli tjetrën, rënia preku gjithë familjet e përfshira.

Dropullitët nuk kanë qenë më të privilegjuar në kohën e Hoxhës, sikurse pretendohet rëndom. Derviçani, fshati më i madh i Dropullit, i cili njihej kryesisht si fshat partizanësh, ka pasur më shumë të burgosur politikë sesa fshati fqinj Lazarati, ku pjesa më e madhe e lazaratasve kanë luftuar me Ballin Kombëtar. Ndërsa Dropulli i Sipërm, për shkak të afërsisë më të madhe me kufirin grek, kishte akoma më shumë të burgosur se Dropulli i poshtëm.

Shqipen e mësova mirë kur shkova të kryej shkollën e mesme në Gjirokastër. Mësuesit tim të letërsisë Agim Shehut i pëlqenin shumë hartimet e mia dhe thoshte, që një ditë do të bëhesha shkrimtar. Një nga tregimet e mia u botua te “Zëri i rinisë”.  Kam qenë ndër pesë nxënësit më të mirë nga 120 nxënësit e gjimnazit, me nota shumë të mira edhe në lëndët ekzakte. Kisha marrë pjesë në konkursin për matematikë - fizikë dhe kimi në Radio Tirana ku Dritëro Agolli, si i ftuar, foli për një rast, që duhej marrë shembull, “një nxënës, që ndodhet këtu mes jush, ndërkohë që është shumë i mirë në lëndët ekzakte, shkruan edhe letërsi shumë të mirë”. Për tri ditë, fitova famë ndër krejt nxënësit më të mirë të Shqipërisë, një pjesë e të cilëve u bënë njëmend të famshëm në ato vite. Megjithatë, nuk m’u dha mundësia të vazhdoj më tej dhe u ktheva në fshatin tim në Vrisera, ku iu nënshtrova fatit tim. Punova në kooperativë nga viti 1969-1989. Shkova edhe dy vjet ushtar në kategorinë e të padëshiruarve për Partinë, të cilët s’kishin të drejtë të mbanin armë, vetëm kazmë e lopatë. Para se të binte sistemi, Vasil Papa erdhi të më intervistonte në lidhje me vandalizmat, që kishin ndodhur në Tiranë.

“Mua gjete të pyesësh i them, unë jam lënë në harresë për 20 vjet, nga 1969-1989”. “

E di, që je shndërruar në një lloj gogoli për të tjerët?’’ – më thotë.

“Do e mbani gojën mbyllur apo doni të katandiseni si Telemaku, që pavarësisht se ishte nxënës i shkëlqyer s’ patën mëshirë?”. Ishte ai që më shtyu të shkruaja për gazetën e minoritetit “Laiko Vima”.

Ndonëse u detyrova të punoj si kooperativist, librat s’i ndava asnjëherë. Lexoja ç’ të më binte në dorë, pasi librat e mirë mbaronin para se të vinin në Vrisera. Një nga gjërat e mira të atij sistemi ishte, që librat e dobët nuk përtheheshin në shqip. Përgjatë 20 viteve, kisha arritur të shkruaja disa tregime. Vendosa 3-4 prej tyre t’i përkthej në greqisht. Më pas, më erdhi frymëzimi e nisa të shkruaj direkt në gjuhën greke. Një nga ato tregimet u botua në rubrikën letrare të gazetës "Laiko Vima". Ky tregim fliste për një kalë, që ngordhi i lidhur në karrocën e vet. "Cili është ky kalë", më pyetën. U thashë: ‘’Ndoshta ti, ndoshta unë’’.

Kur shkova në Greqi bashkë me katër fëmijët e bashkëshorten time, isha 40 vjeç. Gjeta punë në ndërtim, por s’më jepej në atë profesion. Një ditë vendosa të shkoja te Botimet Kedros dhe të flas nga afër me këshilltarin e asaj shtëpie, Jani Kondon, që ishte edhe vetë poet. Ishin 12-13 tregime. Ka qenë fund korriku dhe më tha, që të kaloja në shtator. Botueses Katia Lebesit, i pëlqyen shumë dhe më shprehu që do t’i botonte, madje kishte urdhër që mos të redaktoheshin, por të mbeteshin në formën, që i pata shkruar. Libri doli në dhjetor me titullin “ Incident në mesnatë’’, që ishte dhe titulli i tregimit më të shkurtër. Tregimi flet për një ndodhinë time të jetuar, kur në mesnatë më trokitën në derë njerëz të veshur me uniformë. “Do më fusin në burg’’, i thashë bashkëshortes, Kaliopit.

Arsyeja që kishin trokitur në atë orë, kishte të bënte me dikë që vdiq dhe duhej të shkoja në një fshat tjetër, në Pepeli, që të lajmëroja. Nuk kisha numër telefoni dhe i dhashë shtëpisë botuese numrin e telefonit të furrës së bukës, që ndodhej afër apartamentit tim në Athinë. Nëse të marrin i thashë furrxhiut, të më lajmërosh kur të vij të marr bukën. Më telefonuan për të më thënë, që isha i ftuar në një panel bashkë me katër shkrimtarë të tjerë grekë në një konferencë shtypi për promovimin e librave të rinj. Gjithë vëmendja u drejtua mbi mua, pasi isha i panjohur në ndryshim nga të ftuarit e tjerë. Ditën tjetër të gjitha gazetat e përditshme e kishin dhënë si lajm, madje gazeta e njohur “Eleftherotipia’’, kishte një shkrim me titull "Vorioepiroti që rrëmbeu vëmendjen". E lexonin dhe bëheshin kureshtarë se çfarë dreqin rrëmbeu vorioepiroti.  

Pavarësisht suksesit të beftë, harrova që isha shkrimtar dhe vazhdova të punoja në ndërtim. Pas një viti gjeta punë në një kompani farmaceutike dhe atëherë shkrova dhe librin tim të dytë. Romani im i dytë nuk qe kaq i mirë sa i pari, ndaj dhe ende u them shkrimtarëve të rinj, që problemi nuk është si të botosh librin e parë, por si të botosh librin e dytë. Kondos i shtëpisë botuese greke “Kedros’’, ma ktheu mbrapsht. U zemërova pak në fillim, por pastaj vendosa ta lë në sirtar. Pas dy-tre vitesh i dërgova të lexonte një novelë të re “Kanarina e fundit”, e cila i pëlqeu dhe u botua. Shkrimtari i njohur grek Menis Kumandareas, më shkroi që të më përgëzonte dhe më tha, që do të vinte dita, që do të shkruaja edhe roman. I ftuar në një emision, bashkë me aktoren Vana Barba, shkrimtari Vasilis Vasilikos që drejtonte emisionin, tha:

‘’I thjeshtë Koça, por nuk e dimë nëse kjo lidhet me veçantinë e gjuhës së tij letrare apo është çështje stili’’.

"Janë që të dyja",-  u përgjigja.

Ndërkohë kisha filluar punë si përkthyes në Ministrinë e Jashtme greke, duke përmbushur në këtë mënyrë mungesën e studimeve universitare. Im at ishte shumë krenar për mua dhe para se të vdiste më kish shkruar një letër, ku shprehte gëzimin e tij, që i biri u bë shkrimtar. Pas pak kohe, ndërroi jetë. Ditën e vdekjes së tim eti, erdhi një numër shumë i madh njerëzish në varrim; gjithë javës kishte rënë shi me gjyma dhe atë ditë shkëlqente dielli. Kurse, kur vdiq gjyshi im, i ati i tij, kishin ardhur shumë pak veta, edhe ata me frikë se mos u bënin vërejtje. Tani, mendova do të bëhem shkrimtar grek dhe do të shkruaj për tema greke, por edhe për pak kohë do të vazhdoj të shkruaj për atdheun tim të vogël, Dropullin. Kështu shkruajta “Këngën e asaj nate”, që deri atëherë e konsideroja novelën time më të mirë dhe në hyrje të librit vendosa një dedikim “Ia kushtoj Dropullit, me të cilin jam përherë i dashuruar”. Më pas, shkruajta novelën “Shi mbi varr”, që i kushtohej një ushtari grek të vrarë në kufi. Aty më zbuloi shkrimtari dhe kritiku grek Dimosthenis Kurtovik, që e cilësoi si roman për shkak të numrit të madh të personazheve, dhe jo novelë, siç e quaja unë, ngaqë ishte 160 faqësh.

Desha të rishkruaja romanin, që ma refuzoi herën e parë shtëpia botuese greke dhe që i referohej viteve të gjimnazit në Gjirokastër. “ Shtatë dritaret” është romani im i parë prej 330 faqesh dhe u prit shumë mirë nga kritika greke. Pavarësisht suksesit që kisha njohur, e dija që te shtëpia botuese “Kedros” do të isha gjithmonë nën hijen e shkrimtarëve të mëdhenj, por para se të vendosja t’i drejtohesha një shtëpie tjetër, botova përmbledhjen me tregime “Tre breza amerikanësh” dhe romanin “Provë pafajësie” me temë korrupsionin e mjekëve në Janinë, me personazhe shqiptarë. Romani im madhor “Në bregun përballë”, një pasqyrë e marrëdhënieve njerëzore e politike në Dropullin e periudhës komuniste, i cili qarkullon dhe në shqip nga "Toena", me përkthim të Maklena Nikës, u botua nga shtëpia e njohur greke “Psihogios” në një tirazh prej 6000 kopjesh. Më pas botova romanin “Vallja e nuses” dhe pas tij romanin “Kodi i nderit”, i përkthyer nga unë në shqip me titullin “I ngujuari”, që ka të bëjë me vrasjen e një shqiptari në Greqi, i cili u nderua me çmimin “Athens Prize”, por nuk pati sukses të madh. Me romanin ‘’I ngujuari”, “u damkosa” disi si shkrimtar shqiptar. Krahas të shkruarit letërsi, kam përkthyer edhe disa shkrimtarë shqiptarë në greqisht. Kur erdha në Greqi në fillim të viteve ’90, Kadareja ishte shumë i njohur në Greqi, por asnjëherë nuk pati numër të lartë shitjesh. Kam përkthyer në greqisht, “Darka e gabuar” dhe “Aksidenti”, që e konsideroj si librin më erotik të Kadaresë.

Prej vitit 2015, bashkëpunoj me shtëpinë më të madhe botuese greke “Patakis”. Te “Patakis” botova një libër prej dy novelash “Dinosaurët e Athinës” dhe “Udhëtim në vendin e gabuar”, ku në novelën e fundit përshkruaj me nota tragjikomike peripercinë e një turisti suedez, që policia greke e mori për shqiptar. Në vitin 2018, botova romanin “Bojë kine”, që mori dhe çmimin e revistës së rëndësishme letrare “Anagnostis”. Flet për disa të rinj nga Derviçani, që u burgosën në Spaç. Kurse në vazhdim, kam botuar një biografi letrare (Botimet Nikas) për Kristo Dhimën, agjent grek nga Klishari i Dropullit, që u ekzekutua në Tiranë në vitin 1951.

Pavarësisht se shkruaj në greqisht, në Greqi vazhdojnë të më konsiderojnë shkrimtar vorioepirot ose shqiptar që shkruan në greqisht. Kjo është rezultat edhe i tematikës së librave të mi, që lidhen me Shqipërinë, por edhe për shkak të paragjykimeve ekzistuese për gjithçka shqiptare. Megjithatë, falë punës sime dhe mbështetjes që më është dhënë, jam tashmë një shkrimtar i njohur në rrethet letrare greke. Termin ‘’vorioepirot’’ kur e përdorin të djathtët përmban në vetvete dëshira irredentiste. Ndonëse më përfaqëson  termi ‘’vorioepirot’’, preferoj të më quajnë grek nga Shqipëria ose homogjen nga Shqipëria. Ky term është keqpërdorur, sepse në bazë të kësaj mendësie, Vorio Epiri përfshin gjysmën e Shqipërisë jugore. Pra Vorio Epiri nuk i referohet vetëm minoritetit grek, por përfshin edhe vllehët, korçarët, ortodoksët shqiptarë në përgjithësi. Unë i përkas vetëm minoritetit grek. Më tejkalon si term, është më i madh se unë. Ndoshta në të kaluarën shumë prej shqiptarëve ortodoksë, në mungesë të një vetëdijeje të konsoliduar shqiptare, të kenë pasur vetëdije greke, por mos harrojmë që ortodoksët shqiptarë janë ngjizësit kryesorë të vetëdijes kombëtare shqiptare. 

Vetëdija kombëtare në vetvete nuk është një fenomen statik.  Flitet gjithmonë për shqiptarët “e konvertuar” në grekë dhe gati aspak për rastin e kundërt, për grekët që zgjodhën me vetëdije të jenë shqiptarë. Branko Merxhani, një ndër intelektualët shqiptarë më të rëndësishëm, është me origjinë nga Sopiku i Dropullit, grek etnik nga ana e të atit. Po ashtu Spiridhon Kacaros, që ka qenë kreu i shërbimeve sekrete në kohën e Zogut, ishte grek nga Korfuzi. Kol Idromeno ose Nikolla Idhromeno, pavarësisht se nga ana e të atit në Shqipëri konsiderohet me origjinë çame, nuk mund të mohohet edhe elementi i tij grek nga Korfuzi.

Në rastin e Petro Markos, i cili kishte si gjuhë amtare greqishten, shqiptarizmi i tij i theksuar erdhi kryesisht si rezultat i përplasjes së tij në Athinë me rrethet nacionaliste vorioepirote e greke, çka solli dhe përjashtimin e tij nga universiteti i Athinës. Markos nuk ia falën asnjëherë faktin, që punoi si mësues i gjuhës shqipe gjatë kohës së Zogut, duke thyer kësisoj grevën e arsimtarëve në zonat greqishtfolëse të Shqipërisë, Për më tepër Petro Marko kishte bindje të majta dhe ishte internacionalist, çka binte në kundërshti me frymën e djathtë të nacionalistëve grekë. Për mendimin tim, në pjesën e dytë të librit “Intervistë me vetveten”, e cila u shkrua pas rënies së sistemit, ishte më i vërtetë sesa në pjesën e parë, që u shkrua gjatë kohës së komunizmit.

Nuk është e rastësishme që zgjodhi t’i vendosë emrin të birit Jamarbër, i duhej të dëshmonte vazhdimisht shqiptarinë e tij - e megjithatë Enver Hoxha nuk e besoi. Pra, gjuha amtare nuk mjafton për të formësuar vetëdijen kombëtare, që të ndihesh grek a shqiptar.