Fredi Beleri mund të jetë në listat e kandidatëve të Demokracisë së Re për zgjedhjet europiane. Mediat greke raportojnë se zyrtarizimi i kandidaturës së tij nga partia e kryeministrit grek, Mitsotakis, do të bëhet shumë shpejt.

“Deri në mëngjesin e sotëm, 41 nga 42 pozicionet ishin plotësuar, ku e vetmja çështje pezull ishte ajo e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili aktualisht ndodhet në burg në Shqipëri. Pritet që zyrtarizimi i emrit të tij të bëhet pasdite”, thuhet në një shkrim të publikuar në “Kathimerini”.

Në fillim të marsit, Gjykata e Posaçme e vlerësoi të drejtë kërkesën e SPAK, duke e shpallur fajtor kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës për korrupsion në zgjedhje.

Beleri u dënua me 2 vjet burg, ndërsa Pandeli Kokaveshi, bashkëpunëtori me të cilin ai u arrestua tre ditë para zgjedhjeve lokale majit 2023, u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.