Gjashtë oficerë rusë të zbatimit të ligjit u vranë dhe 12 u plagosën në republikën ruse të Dagestanit. Lajmin e bëri të ditur agjencia Ria Novosti, duke cituar Ministrinë rajonale të Punëve të Brendshme. Një sul ndodhi rreth orës 18:00 me orën lokale në një kishë, ndërsa një sinagoge iu vu zjarri. "Në total, në qytetet Makhachkala (kryeqyteti i Dagestanit) dhe Derbent, në këtë moment janë gjashtë oficerë të zbatimit të ligjit të vrarë dhe 12 të plagosur," thuhet në deklaratën e lëshuar menjëherë pas ngjarjes.

Sipas autoriteteve të Dagestanit, përveç kishës dhe sinagogës që ndodhen në qytetin e Derbert, u sulmua edhe një pikë kontrolli policor në Makhachakala. Rreth 40 persona u mbajtën peng dhe gjatë betejave me policinë, dy nga autorët e sulmit dyshohet se janë vrarë ndërsa largoheshin, ndërsa të tjerët (nuk dihet se sa) u arratisën me një Volkswagen Polo të bardhë.

Dagestani, rajon rus me shumicë myslimane, kufizohet me Çeçeninë, Gjeorgjinë dhe Azerbajxhanin. Për udhëheqësin rajonal, Sergei Melikov, sulmet janë "një përpjekje për të destabilizuar shoqërinë". Në kryeqytetin Makhachkala dhe në qytetin bregdetar të Derbentit, autoritetet kanë shpallur  gjendjen e jashtëzakonshme dhe kanë hapur një hetim penal për "akte terroriste".

Në rrugët e dy qyteteve ka ende të shtëna dhe popullatës i është kërkuar të qëndrojë në shtëpi.

Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov, i quajti sulmet terroriste në Dagestan "një provokim frikacak dhe një përpjekje për të shkaktuar përplasje midis feve". Ata që janë përgjegjës për masakrat në qytetet Derbent dhe Makhachkala, tha ai për Ria Novosti "nuk kanë besim apo komb", ata nuk janë njerëz dhe «duhet të ekzekutohen në vend».