Hetimi i publikuar nga Prokuroria për skandalin në spitalin onkologjik në Tiranë shtron edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me transparencën e qeverisë. Aktualisht do të duhej një deklaratë nga Ministria, nga QSUNT, nga mjekë pse jo, që të qetësonin disi, distancoheshin nga këto praktika, por edhe të jepnin mesazhe besimi.

Kanë zgjedhur heshtjen. Me gjasë po presë ta llapë i pari ai që duhet të llapte i fundit, sepse ky është edhe sistemi i ndërtuar në këtë vend.

Mandej, kur media të ndryshme publikojnë copëza lajmesh, informacionesh, emra, data prokurorimi për gjithfarë lloj arsyesh, dalin e thonë se kazani është kazan.

Kjo heshtje nuk ka të bëjë me ndonjë startegji të mirëfilltë komunikimi. Ajo ka të bëjë me një lloj normimi të skandalit dhe korrupsionit si parim qeverisës që u thotë atyre që vjedhin: Vidhni, duam votat dhe po u kapët mbani përgjegjësi. Kurse qytetarëve: kështu ka qenë e kështu do jetë. Po deshët pranojeni, po deshët ikni!