Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është arrestuar mëngjesin e sotëm me kërkesë të SPAK dhe urdhër të firmosur nga GJKKO.

Beqaj u vu në pranga në lidhje me hetimet e SPAK për abuzim me fondet gjatë kohës kur drejtonte SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik.

Në kuadër të të njëjtit hetim janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtorë të tij: Ermal Kurtulaj i cili ka mbajtur dhe postin e koordinatorit të projektit EUSAIR që menaxhohej nga SASPAC dhe Alfred Nikolla.

Ndaj ish-ministrit, në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme ka dhënë masën e sigurisë "detyrim paraqitje" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", për akuzën "shpërdorim detyre", për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

E njëjta çështje ka çuar në pranga ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.