Greqia duket se po rishikon shumëçka nga pozicioni dhe roli i saj brenda Bashkimit Europian, sidomos sa i përket çështjeve të sigurisë. E prekur rëndë nga kriza e emigrantëve dhe e lënë për një kohë të gjatë e vetme përballë saj, Athina zyrtare po del me propozime që e risjellin atë në prononcimin tradicional si një shtet që “dëshiron të mirëkuptojë interesat ruse”. Në një intervistë për gazetën e djathtë “Kathimerini”, ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias ka mbrojtur ndër të tjera idenë e “një arkitekture të re sigurie për Europën”, brenda së cilës duhet “inkorporuar edhe Rusia”. “Pavarësisht shumë problemeve të shumta që tensionojnë raportet mes Perëndimit dhe Rusisë, ne duhet të gjejmë rrugë për të biseduar dhe komunikuar. Nuk është rastësi që edhe SHBA po diskuton me Moskën për një seri problemesh themelore me të cilat përballet bota”, tha Kotzias në intervistën në fjalë.

Ideja e një arkitekture të re për sigurinë është propozuar disa herë nga ministri aktual i Jashtëm, Sergei Lavrov, që në kohën e ndërhyrjes ruse në Gjeorgji në vitin 2008. Për Rusinë incidente si ai i Gjeorgjisë pasqyrojnë probleme strukturore të kuaadrit aktual të sigurisë që duhet rishikuar. Rusia nuk e ka fshehur asnnjëherë interesin për të qenë pjesë e marrëveshjeve europiane për sigurinë, por nga një pjesë e Perëndimit, ajo është mohuar për t’i dhënë prioritet marrëdhënieve transattlantike.

Propozimi i hapur i Greqisë në këtë drejtim, mundet të sinjalizojë një ndryshim jo pa rëndësi për rajonin tonë. Kjo sepse, Kotzias ka shprehur shqetësime për situatën në Turqi, ku sipas tij “ka një luftë për pushtet”. Ikja e kryeministrit Ahmet Davutoglu i mohon perëndimit një bashkëbisedues të mirë, ndërkohë që në fushën e mbrojtjes, situata në Egje është e paqëndrueshme dhe për ministrin e jashtëm grek, nuk “përjashtohen incidente të nxehta”, “edhe për shkak të ndonjë gabimi”. “Turqia është sot më e tensionuar sesa në të shkuarën. Greqia duhet të qëndrojë vigjilente që të mos bëhet pjesë e problemit, diçka që disa qarqe në vendin fqinj e shpresojnë...Nëse nuk tregohet kujdes, mund të ndodhë ndonjë incident serioz, edhe gabimisht. Ndonëse ne po informojmë NATO-n dhe BE-në mbi provokimet e Ankarasë, jemi të vendosur që të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial”, shtoi Kotzias(http://www.ekathimerini.com/208657/article/ekathimerini/business/turkis…).

Këto konsiderata të ministrit të Jashtëm grek prekin edhe interesat e Shqipërisë që është afër kësaj zone. Kotzias po flet për një situatë para lufte sa kohë kujton se “Greqia do të mbrojë sovranitetin” nëse Turqia do të ndërmarrë ndonjë iniciativë. Para disa ditësh opinioni shqiptar u njoh me një propozim të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila gjatë vizitës së fundit në Gjermani, deklaroi se Shqipëria ka kërkuar pjesëmarrje në operacionet në Egje. “Një çështje e dytë të cilën e njoftoi ministrja në intervistën e saj është nisja e aktivitetev patrulluese të NATO-s në Egje, ku pretendon të marrë pjesë edhe Shqipëria. “...NATO ka vendosur, me propozim të ministres gjermane von der Leyen në një nga samitet e BE-së, të jetë prezente me anije ushtarake për menaxhimin e ujërave, sidomos atyre të Detit Egje. Shqipëria ofrohet me mjetet e saj lundruese që do të kenë një kohë të caktuar qëndrimi bashkë me anijet e tjera të vendeve të NATO-s. Ky propozim u mirëprit nga ministrja dhe besoj se ekspertët teknikë do të ulen e bien dakord për mënyrën si do të procedohet. Pjesëmarrja në këtë projekt e nderon Shqipërinë, e nderon Ministrinë e Mbrojtjes, qeverinë shqiptare dhe Forcat tona të Armatosura”, tha ministrja(http://www.respublica.al/2016/05/12/kodheli-në-gjermanizona-rreth-serbi…).

Nuk dihet se çfarë mbetet për Frontex në kushtet kur Egjeu po kalon në situatë të tensionuar ndërshtetërore dhe kur një ministër i huaj, si ai grek, flet për mundësinë e “gabimeve”, apo “incidenteve të rënda”. Apo kur Turqia, që ka çelësin e frenimit të valëve migratore nga Lindja e Mesme, e ka prishur marrëveshjen me BE-në.

Sikurse në një botë të ndërlidhur, disa hollësi nuk mund të kalojnë pa u vënë re. Kotzias zbulon deri diku një zgjedhje të Rusisë si partner më i afërt në çështjet e sigurisë kundrejt konfrontimeve eventuale me Turqinë, tek e cila po shohin të gjithë edhe faturën e veprimeve të presidentit Erdogan. Shqipëria ka një tjetër qasje dhe pozicion. Kjo duket edhe në faktin simbolik se në një ceremoni familjare, si ajo e dasmës së vajzës së tij, ishte edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, shenjë e qartë e një miqësie që ndikon edhe në marrëdhëniet shtetërore. Por kjo u kumtua me tjetër domethënie me votën e Shqipërisë për Palestinën, që ishte kundër ShBA-së formalisht.

Ndaj nuk është pa sens të pyetet: a ka rrjedhime marrëdhënia specifike që kryeministri shqiptar ka me presidentin turk Erdogan, në raportet me vende të tjera, përfshi edhe Greqinë? Sidoqoftë e vërteta, kjo mund të ishte logjikisht një arsye e ftohjes së madhe të tyre. Shqipëria gjithashtu ngjan se e sheh ndryshe situatën e sigurisë nga Athina dhe sugjerimet e saj për Rusinë, edhe për shkak të marrëdhënies me SHBA, sidomos në pranimin e 3000 muxhahedinëve iranianë, një marrëdhënie e panegociueshme deri më tani dhe pa alternativë.