Mediat shqiptare kanë krijuar një kategori të re kërkimi në Google. Ky është Ligji i Luftës me Greqinë.

Nëse kërkon në Google “Kuvendi ka miratuar me 96 vota pro dhe asnjë kundër projekt deklaratën e PDIU-së për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë” të dalin një listë titujsh dhe tekstesh në media online shqip sipas të cilave Kuvendi i Shqipërisë po kërkon të heqë ligjin e luftës me Greqinë. Në fakt është e kundërta: Kuvendi ka miratuar me 96 vota pro(përfshirë pra votat e Penxherexhinjve) një projektrezolutë për heqjen e ligjit të luftës nga Greqia. Pra t’i kërkohet Greqisë ta shfuqizojë dekretin e Mbretit të vitit 1940, pasi kështu ka kërkuar Shpëtim Idrizi tani që po afrojnë edhe zgjedhjet.

Në çdo rast, deklarata është një paçavure pa kuptim e pa efekt, nga ato që prodhohen sa të duash në këtë vend, pasi kërkesa është formale, nga Kuvendi, dhe është paraqitur më herët nga qeveritë shqiptare. Nga ana tjetër pala greke pretendon se e ka shfuqizuar ligjin në fjalë dhe prova për këtë është ekzistenca e marrëdhënieve diplomatike, Traktati i Miqësisë, fakti që mes dy vendeve ka partneritet strategjik e kështu me radhë. Palën shqiptare nuk e pengon asgjë të kërkojë nga Greqia këtë që e shkruan sot në Deklaratë të Kuvendit. Dhe e ka bërë këtë edhe në kuadër të negociatave të vitit 2018. Por ajo zgjodhi që më mirë të hapë ekspozitë "arti" në Athinë. 

Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe dhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe strategjike me Greqinë, si dhe vullnetin e dyanshëm për t’i përmirësuar e thelluar, vëren se, ndryshe nga fryma e “Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr.2636/40,mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte.

Projekdeklarata detyron Kuvendin të ftojë Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesë përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do t’i shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi

thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Ne ende nuk e dimë cilat janë efektet negative që prodhon qenia në fuqi e këtij ligji. Mos vallë janë pronat e vëna në sekuestro konservative, ullishtet e një pjese të shqiptarëve të Çamërisë – sot Thesproti – për të cilat pala greke ka bërë të qartë se mund të ndiqet rruga gjyqësore? Është kurioz fakti megjithatë se pala greke e respektoi sekuestron dhe nuk e përmbyti Thesprotinë me demografi të re, siç ndodh në ndonjë vend tjetër. Nëse sekuestroja de facto është zhbërë, atëherë ose Greqia ka bërë shkelje të ligjit të vet, ose ajo konsideron se ligji nuk ekziston, pra edhe sekuestroja bie.

Në të dyja rastet pasuesit e Shpëtim Idrizit e kanë të thjeshtë të gjejnë të drejtën. Sa për projekt-deklaratën e ullishteve – pasi çështjen "Çame", zoti Idrizi mesa duket nuk e mban mend mirë – është e logjikshme të thuhet se nëse qeveria greke ndjek ose zbaton kërkesën e sotme të palës shqiptare për këtë çështje, atëherë janë krijuar kushtet praktike dhe ekonomike ndoshta, që përfaqësues të komunitetit çam në Shqipëri të kthehen në shtëpitë e tyre të marra padrejtësisht në vitin 1940. Dhe në të vërtetë KJO ËSHTË REALISHT PADREJTËSIA që do të duhej të korrigjohej.

s.zaimi