Më shumë se një muaj pas tentativës për të vrarë ish-presidentin Donald Trump, FBI ka një konkluzion për atentatorin. Thomas Crooks, i cili qëlloi në drejtim të kandidatit republikan gjatë një takimi elektoral në Pensilvani, ka vepruar i vetëm.

“Dua të jem i qartë, ne nuk kemi parë ndonjë tregues që sugjeron se Crooks ka vepruar nën udhëzimin e ndonjë enti të huaj për të kryer sulmin,” u tha gazetarëve të mërkurën Robert Wells, ndihmësdrejtori ekzekutiv i degës së sigurisë kombëtare të FBI-së.

FBI publikoi foto të disa prej provave – pushkën e përdorur Crooks, çantën e shpinës, bombat në bagazhin e makinës etj.

Megjithatë, ajo që mbetet ende mister, edhe për FBI-në, është motivi pse Crooks kishte vendosur të eliminonte ish-presidentin republikan.

Agjentët federalë raportohet se kanë kryer më shumë se 1000 intervista gjatë gjashtë javëve të fundit. Analiza e profilit të Crooks nxori në pah një "një përzierje ideologjish".

"Ne nuk shohim asnjë ideologji përfundimtare të lidhur me temën tonë, qoftë me prirje të majtë apo të djathtë," thotë Kevin Rojek, agjenti special në krye të zyrës në Pittsburgh.

Crooks nuk kishte asnjë gjurmë alkooli apo droge në sistemin e tij dhe vdiq nga një plumb i vetëm në kokë, tha FBI, duke cituar rezultatet zyrtare të autopsisë.

Trupi i Crooks u tërhoq nga familja dhe u dogj më 23 korrik

.