Kryeministri Edi Rama e ka gjetur kurën kundër dhunës në shkolla: monitorim me kamera dhe ndalim i TikTok-ut.

Nuk mund të kërkohej fatkeqësi më e madhe se kaq, sesa qenia në krye të punëve e dikujt që i pret drutë shkurt se aq e ka enën, ose atë agjendë ka.

Sa herë e kemi dëgjuar zotërinë të flasë së digjitalizimi do të zgjidhë si me magji problemet e korrupsionit në administratë? Sa herë kemi dëgjuar se qeveria e zotit Rama do kalojë në procese të caktauara inteligjencën artificiale?

Ku jemi? Jemi në pikën që korrupsioni është ekonomia jonë dhe krimi policia e vërtetë.

Problemi me të cilin përballet sot shoqoëria shqiptare e has çdo shoqëri në botë, ose në Europë të paktën. Teknologjia e Informacionit ka mundësuar kapërcimin e mureve sociale dhe hierarkive duke eliminuar distancat tradicionale mes grupeve dhe duke turmëzuar një shoqëri të tërë. Përgjigja ndaj kësaj sfide nuk ekziston ende në asnjë vend, por vetëm mbyllja e plotë nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë.

Megjithatë, duke konsideruar se kemi të bëjmë me një vullnet të mirë dhe se mbyllja e TikTok nuk lidhet me ndonjë arsye politike që shkon përtej episodit të shkollës “Fan Noli”, sërish mbetet një paradoks.

Zoti Rama ka në dorë një instrument të ligjshëm si Autoriteti i Mediave Audiovizive, i cili nuk vepron në asnjë rast ndaj atyre që ligji i njeh si Operatorë të Shërbimit të Medias Audiovizive, kur shkelin të gjitha normat ekike dhe morale. Çfarë ka më keq TikTok në kultivimin e një kulture degradimi dhe dhune nga Top-Channel me programet e veta që nuk kanë emër?

Sa herë ka patur ankesa për degradimin, shthurjen dhe degjenerimin në programe të këtij televizoni kombëtar? Sa reagime kemi patur? Zero.

Të kapesh sot te TikTok për të kufizuar apo kundërvepruar ndaj kulturës së dhunës, është një gjetje gjysmake, në mos një dredhi për të mos parë se venat e kësaj kulture janë të lidhura fort me liçenca dhe frekuenca televizionesh që vetëm përmbajtje etike nuk kanë. Ndaj çështja është shumë më e gjerë.

Ta zëmë çfarë mund të mendojë një adoleshente kur sheh Elisa Spiropalin si ecën, si flet, çfarë flet, si vishet, me çfarë vishet? Do mendojë se puna dhe shkollimi kanë vlerë në këtë vend?

Çfarë mund të mendojë një adoleshent kur sheh se një gazetar si Baton Haxhiu rezulton me vilë të falur thuajse dhe bën moral nga mëngjesi në darkë? Apo kur sheh se gazetarë të tjerë që janë si letër alumini që mbështjell kocka kërmash e ilustrojnë karrierën e tyre si “pjeshka instagrami”?

TikTok është  një degë e shtuar të gjithësh, e kënetës ku jetojmë të gjithë, e llumit që na ka përmbytur, për të cilin na duhet të dëgjojmë receta nga Adhamudhi i digjitalizmës, Heqimi i vetëm i sëmundjeve të kësaj kohe që mbarështon në fakt çdo sëmundje. Pse? Sepse qeveria është paraja në këtë vend pa treg real dhe konkurencë. Kështu siç z. Rama absolutizon TikTok-un, na lind e drejta të absolutizojmë akuzën.

s.zaimi