Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias vjen të hënën në Tiranë. Është vizita e dytë e tij në Shqipëri në harkun kohor të 11 muajve dhe në përgjigje të shpejtë të vizitës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Greqi, D. Bushati, në mars të këtij viti.  Përpos tyre, dy ministrat kanë takime të shpeshta në veprimtari ndërkombëtare. Kjo denduri takimesh lidhet me vlerësimin e rendësisë dhe perspektivës së marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Vetëm kështu mund të interpretohet “nxitimi” i Kotzias për kthimin e vizitës së Bushatit në Athinë. Por nga ana tjetër, në më pak se tre muaj nuk është se u gjetën “mekanizmat për zgjidhjen e problemeve”, siç u shprehen të dy ministrat në Athinë. Më shumë përvijohet fakti i qëndrimeve aspak konverguese nga politikat e të dy vendeve përsa u përket faktorëve përcaktues të perpektivës së marrëdhënieve dypalëshe.

 

Ministri Kotzias me sloganin e kësaj vizite “Marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë dhe e ardhmja e evropiane e rajonit”, e ka përcaktuar shumë qartë konceptin grek të perspektivës së marrëdhënieve greko-shqiptare. Për palën greke ato duhet të zhvillohen në frymën evropiane të ridimesionimit të marrëdhënieve të saj me vendet e rajonit. Ndërsa për homologun e tij shqiptar koncepti i së ardhmes së tyre duket se stacionohet te dialektika me të shkuarën.

 

Një politikë e tillë, nga njëra anë neutralizon këmbënguljen e palës greke për një frymë evropiane në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë, pa patur me vete dhe vullnetin e palës shqiptare. Nga ana tjetër i heq Greqisë të drejtën e tolerimit historik në emër të fqinjësisë së mirë, fakt që vërteton si historia 45-vjeçare e rivendosjes së marrëdhënieve greko-shqiptare, ashtu edhe historia më e gjatë e marrëdhënieve midis dy popujve, vendeve dhe shteteve tona. Për palën greke konstantja që i përshkon këto marrëdhënie është këmbëngulja e vazhdueshme në sens pozitiv për marrëdhënie vëllazërie, miqësie e bashkëpunimi. Por rezultantja e kësaj rruge tregon se çdo herë që midis popujve tanë arrihej afrimi i natyrshëm dhe marrëdhëniet e partneritetit vëllazëror, interesat e të tretëve i çonin ato në zgrip. Ndodhte kështu se këto interesa realizoheshin më mirë nëse pengohej afrimi shqiptaro-grek. Po ashtu, është e vërtetë se historikisht, pala që merr iniciativën për të ringritur marrëdhëniet midis dy vendeve në nivele dhe realitete adekuate me zhvillimet historike, është ajo greke dhe parimi nga i cili udhëhiqet në to, është parimi i sotëm evropian: mënjanimin e momenteve të këqia të së shkuarës, (që në historinë e përbashkët janë të pakta dhe të parëndësishme) dhe adresimin e të ardhmes në ato pika që historia dhe perspektiva na bashkon dhe janë të shumta(Para disa ditësh, Franca dhe Gjermania, nëpërmjet figurave më të larta shtetërore, Merkel e Hollande, përkujtuan 100 vjetorin e betejës së Verdunit, ku u vranë 300 mijë ushtarë nga të dy palët. Më këtë rast inauguruan dhe nderuan një varrezë të përbashkët me po aq kryqe, si shenjë forcimi të miqësisë franko-gjermane. Turqia ka vite që varrezat e përbashkëta të saj me ato të ushtarëve armiq, i ka kthyer në vend kurioziteti historik për miliona turistë të botës).

 

Fakt karakteristik përbën moment historik i rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, në majin e largët të vitit 1971. Qeveria e kolonelëve në Greqi qe iniciatorja për këtë hap, edhe pse në thelb i papajtueshëm për një juntë ushtarake. (Kishte ndodhur edhe me Diktatorin Pangallos në vitet 1926-30). I parapriu këtij veprimi deklarata e Greqisë në OKB, sipas të cilës Greqia parashkruante realitetin e marrëdhënieve midis dyvende, vetëkrijuar në Konferencën e Paqës më 1946. Në emër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, Greqia anashkalonte edhe realitetin e zymtë të minoritetit të saj në Shqipëri. Propaganda e shtetit të atëhershëm shqiptar, e konsideroi këtë hap të Greqisë si dobësi dhe si vërtetim të tezave të Tiranës.

 

Më 1985,  Karollos Papulias, i cili do të evidentohet në vijim si arkitekt i marrëdhënive të mira midis dy vendeve, mori iniciativën për hapjen e portës së ndryshkur prej 40 vjetesh të Kakavisë. 12 vjetmë vonë, me 1996, kur marrëdhëniet greko-shqiptare ishin future në zgripin e radhës, Papulias dhe Stefanopullos bënë hapin e radhës, duke i kulmuar juridikisht marrëdhëniet midis dyvendeve me nënshkrimin në Tiranë të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit.

 

Nga pala shqiptare mbetet karakteristik fakti që në kujtesën e saj active  në lidhje me historinë e marrëdhënieve të saj me Greqinë, mbeten momentet e pakta negative; negativitetin e të cilave e zhvlerëson vetë historia. Edhe pse të shtrira në kohën e gjatë historike, ato mblidhen për efekt të çdo momenti të së tashmes aktuale politike dhe përdoren, si për të ekplipsuar momentet dhe zhvillimet e shumta që na bashkojnë, ashtu edhe për të penguar marrëdhëniet tona të fqinjësisë së mire dhe në frymë evropiane të së ardhmes. Aq më keq kur për t’I aktualizuar këto moment të parëndësishme negative dhe për t’i kthyer në shërbim të politikës active shtetërore, nuk u referohet qëndrimeve zyrtare të shtetitgrek, por faktorëve të dorës së dytë dhe të tretë jashtë politikës zyrtare greke. Injektohen me mjete të ndryshme në opinionin publik dhe pastaj politika zyrtare u referohet si vullnet politik popullor. Nga ana tjetër, çdo përpjekje që bën Greqia dhe çdo iniciativë që merr Athina si vijim të qëndrimeve të veta konstante për politikën e fqinjësisë së mirë, konsiderohen si dobësi të shtetit grek, ose si vërtetim të pretendimeve të mësipërme të pales shqiptare. 

 

Gjatë  gjithë periudhës së tranzicionit të stërzgjatur shqiptar dhe pavarësisht ulje-ngritjeve të marrëdhënieve dy palëshe, Greqia ruajti një konstante në ngritje positive në qëndrimet e saj ndaj Shqipërisë. Është partneri parësor i Shqipërisë në kontribute ekonomike, investuese, tregëtare, shoqërore e kulturore.  Por, parësor mbetet sidomos kontributi i Athinës për anëtarësimin e Shqipërisë në struktura dhe në organizma euroatlantike, (OSBE, KiE, NATO, inicim dhe institucionalizim të procesit për anatërësimin në BE etj.), në një kohë që nga ana e vet Shqipëria, ka pothuaj një bilanc nul në kontributet e saj në marrëdhëniet me Greqinë.

 

Reflektimin historik e bën më evident në vizitën e pritshme të zotit Kotzias fakti se gjendemi para momentit kohor që argumenti juridik i marrëdhënieve “shumë të mira”, Traktati i Miqësisë, duhet, juridikisht dhe praktikisht, rinovuar. Ministri i Jashtëm grek, pavarësisht se nuk e deklaron këtë qëllim, e nënkupton atë në formulimin e ri të marrëdhënieve dy palëshe, si realitet për evropianizimin e rajonit, projektuar kjo në një paketë komplekse për zgjidhjen, fillimisht të problemeve midis dy vendeve. Por në misionin e tij duket se Kotzias do të hasë edhe në vështirësi të tjera. Vitet e fundit pala shqiptare ka bilancin më negative në respektimin e marrëveshjeve midis dyvendeve. (Ajo e kufirit detar, e varrezave të ushtarëve grekë rënë në luftën kundër pushtuesve fashistë, funksionimi i komisionit të përbashkët për përmbajtjen e teksteve shkollore etj.). Një fakt i tillë nuk mund të tolerohet nga opinioni publik e politik grek. Fryma nacionaliste kundër Greqisë në vend po bëhet pjesë e politikës zyrtare.

 

Nga ana tjetër, ndërsa pala greke vjen me shqetësimin që këtë rrugë të ngushtuar të marrëdhënieve dypalëshe ta kthejë në një hapësirë bashkëpunimi me frymë evropiane, të mishëruar në vazhdimësinë e Traktatit të Miqësisë, duket se pala shqiptare është e interesuar në një gravitet të kundërt.

 

Për ministrin Bushati, moment ristartimi i këtyre marrëdhënieve është abrogimi i ligjit inekzistent të luftës, i vitit 1940. Për këtë flet fakti që vetëm disa ditë para vizitës së homologut të tij grek, D. Bushati shprehej në një televizion të madh të vendit me gjuhën e një analisti të kohës së monizmit, se: “Nëse flasin për shfuqizimin e ligjit të luftës nga ana e Greqisë, ka lidhje me rishikimin e teksteve të historisë, ka lidhje me çështjen e pronave të shtetasve shqiptarë dhe shtetit shqiptar në Greqi. Ka lidhje gjithashtu me nderimin për të rennet grekë në territorin shqiptar, sepse duhet që të përfundojë lufta, në mënyrë që të fillojnë të gjitha proceset e tjera. Shfuqizimi ka vlera të drejtpërdrejta politike dhe ligjore, apo adresimi i çështjes çame...”.

 

Dhe kjo kur dihet se, po t’i referohemi logjikës së pretendimit të mësipërm, shteti që i shpalli i pari luftë Greqisë, nuk e ka abroguar juridikisht këtë ligj, por fshihet pas argumentit aspak juridik, se votuesit e tij nuk ishin përfaqësues legjitim të popullit shqiptar!

Megjithatë, Kotzias vjen në Tiranë i bindur se nuk ka hapësirë për kthim prapa dhe se ky qëndrim është në të mirën e të dy vendeve, por në radhë të pare në të mirën e Shqipërisë.

 

*Titulli i autorit: N. Kotzias në Tiranë i bindur se për marrëdhëniet dypalëshe nuk ka kthim prapa