Ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare, Kryepeshkoi i Kishës Autoqefale Orthodhokse të Shqipërisë, Anastas Janullatos. I fronëzuar në vitin 1991, Janullatos përfaqëson një etapë të rëndësishme për Kishën Orthodhokse në tërësi, në plan ekumenik dhe për orthodhoksinë shqiptare në veçanti.

Ai është padyshim një rindërtues i Kishës, në aspektin material dhe didaktik të saj, një rigjallërues i kulturës teologjike mes shqiptarëve të anestezuar që nga viti 1967 nga e drejta për t’u lutur.

Janullatos kishte kombësi greke, ai i takon elitës së shoqërisë greke dhe elitës së orthodhoksisë. Kredencialet e tij akademike dhe intelektuale janë të pakrahasueshme dhe kjo i bën nder apo i jep status Kishës së Shqipërisë. Ai po ashtu i takon një ekumene laike – Helenizmit - tashmë një jehonë historike që e përsërit veten si ai arkipelagu intelektual dhe filozofik i shkollës greke në Afrikën Veriore dhe Azinë e Vogël. Me njerëz dhe mendim të shfaqur aty-këtu, rrallë e më rrallë, por padyshim shkëlqyeshëm.

Por vetëm me këtë kombësi ai hyri në kolizion me dyshimin permanent shqiptar ndaj Grekut – një dyshim I kultivuar për synime politike dhe ekonomike nga elitat e dikurshme myslimane të Jugut të para Pavarësisë dhe që mandej u kapilarizuan në mbarë sistemin arsimor shqiptar. Është emblematike të shohësh edhe sot videon e gushtit 1992, ku deputetë dhe njerëz të PD-së së asaj kohe sabotonin një takim të Janullatos duke bërtitur: Papa Kristo Negovani!

Si i tillë, pra si një Grek në krye të një kishe të mëvetësuar me një operacion gangsterizmi politik në vitet ’30, Janullatos nuk mundi të qëndronte pa provokuar. Ai nuk mund të qëndronte si një klerik dhe teolog normal në një kishë që u fortifikua me mure dyshimi dhe u tentua të izolohej. Ndaj ai polarizonte dhe polarizoi edhe ata që duhet të qëndronin ftohtë. Paradoksalisht ky realitet që kondensonte çdo gjë ballkanike: misionin me historinë, provincializmin me folklorizimin, instrumentalizimin e injorancës me pragmatizmin, politikën me korrektesën protokollare, veprën me digën e madhe gjeopolitike të ndërtuar mbi rërën shkretinore të padijes – ky realitet e shndërroi misionin e tij fillestar nga rindërtimi i Kishës, nga shpresa se dikur besimi do të lindë në zemrat e njerëzisë, te mbijetesa. Te mbijetesa në një mjedis acid.

Megjithatë si çdo vepër që ka dritën dhe eklipsin e vet, edhe rrugëtimi i Janullatos do të shqyrtohet nga Historia. E kishës, e orthodhoksisë, e helenizmit dhe e Shqipërisë. Sidomos nga historia e Shqipërisë.

Shpirtin le ta gjykojë Zoti. Në Tokë ai e la një gjurmë!

s.zaimi