Sot gazetat shqiptare janë hapur me tituj që zbulojnë “sekretin” qeveritar sesi do të priten në mënyrë madhështore lojtarët e kombëtares?!. Do të festohet skualifikimi ynë nga 16 finalistët e Francës?!

Plani i festimeve fillon me pritjen që do t’u bëhet Dukës me shokët e Federatës, lojtarëve, trajnerëve, infermierit, masazhatorëve, guzhinjerit, pjatalarësit, rrobalarësit etj., që në Rinas…Avionit të pasdites nga Franca, me kismet, pasi t’i hapen rrotat dhe të ulet, do t’i hapet dera, pastaj nga shkallët, nëpërmjet një tapeti të kuq, kuqezinjtë, ashtu si të ishin një ekip kampion do t’ja hypin një autobusi të hapur… Më parë do të jetë bërë bllokimi i rrugëve nga Aeroporti i Rinasit deri në sheshin “Nënë Tereza”?! Mijëra lekë të hedhura për një dekor madhështor nga organizuesit nga aeroporti deri në Tiranë… Janë ftuar njerëzit e papunë që do të dalin rrugëve në mbështetje të kuqezinjve për këtë festë deri sa autobusi ynë “i lavdishëm” të mbërrijë në “Tirana Fan Zone”. Aty pastaj fillon pritja. Aty pastaj do të jetë e ç’do të jetë! Do të shohim kur vetë kryeministri ynë mbase dhe me ministreshën atë të Kulturës dhe Sporteve” në krah (dhe jo me atë “të kopshteve pa leje”) do të japin çmime dhe vlerësime për stafin dhe lojtarët kuqezinj…

Kështu pra, sot pasdite do të kemi rastin të shikojmë këtë shfaqje qesharake shqiptare që zhbën edhe atë "sukses" minimal të eliminimit që në fazë të parë…

Sukses i vërtetë ishte pjesëmarrja jonë në Finalet e Francës për të parën herë dhe po ashtu, sukses ishte edhe goli “i nderit” që realizoi Sadiku. Goli i tij ndaj Rumanisë, që fati e desh të mos zhvleftësohej në minutën 76 të asaj ndeshjeje, kur pas gjuajtjes së rumunit Andoni, falë Zotit, na shpëtoi tranversa…

Kështu e ka futbolli dhe për një gol duhet edhe pak fat. Emocioni shumë i madh mund të të ndalë edhe zemrën në çast, por pastaj zbehet dhe nuk mban gjatë…Për këtë futbolli mbetet një sport i bukur. Prandaj, pas golit, nuk ka vend edhe për brohoritje të mëtutjeshme përtej stadiumit. Kështu edhe për golin tonë të Sadikut.

Për golin, që taksapaguesit më të varfër të Europës e paguan një milion euro, festimet butaforike janë të tepërta. Ato dëshmojnë në sy të botës për një mentalitet varfanjakësh që dekonspiron sesa të vogla janë kërkesat tona... Politizim idiot e i pështirë i qeveritarëve tanë që kërkon të na ngopë me lugën bosh dhe na mban larg Europës...