Bashkimi Europian ka kërkuar nga Britania e Madhe të përshpejtojë procedurat e daljes nga unioni. Juncker, por edhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë bërë thirrje sot për qetësi dhe unitet, ndërkohë që në Britani ka një përpjekje për të përsëritur referendumin.

Në çdo rast largimi i Britanisë nuk po perceptohet si definitiv, ndonëse shumë media po sulmojnë votën e dhënë që e vlerësojnë si të kushtëzuar nga frustrimi dhe frika nga probleme si imigracioni. Kreu i partisë konservatore në pushtet në Poloni, Jaroslaw Kaczynski, ka kërkuar një traktat të ri për Europën, që mund të ristrukturonte BE-në dhe me gjasë do të riafronte Britaninë në një të ardhme.

Por për sa na takon në Ballkan, është e udhës të kërkohen disa përgjigje mbi pasojat. Në një deklaratë të sotme, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn u shpreh se procesi i zgjerimit nuk do të ndalet. “BE-ja është ende e angazhuar për zgjerimin, kjo nuk ka dyshim. Është arritur shumë në Ballkan në dy vitet e kaluara dhe nuk duhet të tregoheni të lodhur apo të dëshpëruar pas referendumit në Britani”, tha ai në Vjenë. Është një mesazh që duhet përforcuar dhe konkretizuar në mënyrë që ai investik kaq i madh të mos tretet dhe të humbasë kuptimin.