Ngjarja e Rinasit, grabitja spektakolare që la me gisht në gojë të gjithë aktorët përgjegjës të sigurisë, po kalon në axhendën e diskutimit politik. Ndonëse hetimet kanë nisur dhe ka madje disa të arrestuar, përfaqësues të politikës nuk hezitojnë të japin variante për konsum publik mbi atë që ka ndodhur. “Siguria në Rinas është zero, ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur as në vitin 1997. Nuk ka rëndësi shumë e vjedhur, por fakti që në Rinas hyri grupi i armatosur. Është shkelur siguria kombëtare dhe vija e kufirit. Duhet të kërkojmë llogari për masat e marra pas ngjarjeve në Stamboll”, tha sot në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, që ka bërë thirrje që Presidenti i Republikës të reagojë.

Në një farë mënyre këtë e ka konfirmuar pa dashje edhe deputeti socialist Paulin Sterkaj, që ka folur me përvojën e poilicit. “Duhet të lëmë hetimet të flasin vetë. Kam bindjen se grupi që grabiti s’ka qenë grup i armatosur, por marrëveshje midis individëve me pozicione te ndryshme”, tha ai.
Mbedhje të Këshillit të Sigurisë Koknëtare ka kërkuar edhe deputeti i PD-së, Asllan Dogjani. “Makina e cila u përdor nga grabitësit mund të ishte me eksploziv, duhet të merreshin masa për një mbledhje te jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare”, tha ai. Një mbledhje e tillë mund ta nxirrte të paaftë ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, që po përballet me akuza të reja.