Me futjen në fuqi të normave të reja të ndotjes, 80 për qind e automjeteve ekzistuese në Shqipëri nuk e kalojnë testin e kolaudimit. Këtë deklaratë e bëri dje në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, shefja e sektorit në Ministrinë e Mjedisit, Laureta Dibra.
E pyetur nga kryetarja e komisionit, Arta Dade, për masat që po merr qeveria për të shmangur hyrjen në Shqipëri të makinave të vjetra që shkaktojnë ndotje të madhe, përfaqësuesja e Ministrisë së Mjedisit tha se nga komunikimi që ka pasur ky dikaster me kompaninë e kolaudimit të automjeteve “SGS”, i është komunikuar se 80% e makinave në vendin tonë nuk duhet të lejohen të futen në qarkullim. Sipas përfaqësueses së Ministrisë së Mjedisit, plani i kompanisë së kolaudimit është që makinat që janë nën EURO 3 të e mos kalojnë fare këtë test dhe të mos lejon në qarkullim. Ndërkohë që për këtë çështje është hartuar një marrëveshje mes 3 ministrive.
Për eksperten e Ministrisë së Mjedisit, është ngritur dhe si diskutim fakti i cilësisë së dobët të lëndëve djegëse. Sipas saj, nëse një makinë euro 5, përdoret në Shqipëri për një vit me një karburant cilësor, ajo shndërrohet në euro 4 dhe gjeneron ndotje raporton Panorama.