Top-Channel ka publikuar sot draft-propozimin e Partisë Demokratike për sa i përket vettingut. Meqenëse është bërë e njohur tashmë se ideja e PD-së konsiston në administrimin e një procesi nga një komision ad hoc, me rol të Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatit të Popullit, meriton vëmendje, propozimi për rolin që i jepet Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sipas këtij dokumenti sugjerohet që: “Vëzhgues nga ONM-ja kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni. Gjithashtu ONM-ja ka të drejtë të dorëzojë pranë komisionit ad hoc dokumentacion që vërteton kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe që nuk disponohen nga institucionet shqiptare. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad hoc, ONM-ja ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumenteve dhe provave të administruara nga komisioni”. Në propozimin e vet, PD-së nuk i mungon mbështetja ligjore, por te ky paragraf shihet se ONM-ja merr të drejta që realisht janë “të qenësishme” dhe të paprecedenta për një mision vëzhgimi e monitorimi.

Analogjia me misionet e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet na bën të kuptojmë se çfarë roli do të ketë ky mision edhe sipas këtij drafti. Ndaj është e çuditshme, në mos e paargumentueshme se për cilat arsye kërkohet që ONM-ja të ketë të drejta ekskluzive vettingu. Dhe për cilat arsye ambasada amerikane, ajo e BE-së dhe pas tyre PS-ja këmbëngulin në këtë gjë.

Një tjetër analogji është ligji për dekriminalizimin që penalizon jashtë arsyes dhe frymës së kushtetutës personat për ushtrimin e funksioneve publike e të zgjedhura. Por te ligji i dekriminalizimit gjykimi mbi kandidatët bëhet brenda sistemit dhe shkon si shqyrtim i thelluar ndaj të dhënave që janë në dispozicion të institucioneve shqiptare. Në rastin e vettingut, de facto dhe de jure, me propozimin e amerikanëve drejtësia shqiptare zhvendoset Jashtë Kushtetutës dhe jashtë vendimmarrjes politike të përfaqësuesve të zgjedhur. Mundet që për dikë të jetë e arsyeshme një gjë e tillë, por këtu jemi në fushën e politikës ku po kërkohet të cedohet një e drejtë që për nga rëndësia dhe fusha e veprimit tejkalon shumë edhe ambicien e nënkuptuar të arrestimit të Sali Berishës. Është e udhës që edhe partnerët strategjikë të sqarojnë shqiptarët dhe jo vetëm Edi Ramën se çfarë kanë ndërmend të bëjnë me këtë protektorat mbi drejtësinë, që i bën jehonë thirrjeve prej eunuku të një Eulex për Shqipërinë.

Është jo pak ironike raportimi i lajmit nga Top-Channel kur shkruan se “Partia Demokratike ktheu një përgjigje për propozimin amerikan të kompromisit dhe përgjigja e opozitës nuk i jep Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian fuqi vendimmarrëse në procesin e vettingut. Në propozimin e saj të ri, opozita u jep ndërkombëtareve rol vëzhgues, por jo atë "të duhurin", siç u shpreh të dielën Ndihmëssekretarja e Shtetit, Viktoria Nuland. Në përgjigjen e opozitës, të siguruar nga Top Channel, organi i vettingut është një komision parlamentar “ad hoc”, ndërsa operacioni ndërkombëtar i monitorimit ka rol vëzhguesi me akses të plotë në proces dhe dokumentacion”. Po Partia Socialiste çfarë argumenti jep në favor të propozimit amerikan, përveç fermentit popullist: të çrrënjosim të keqen? Sepse një parti serioze do të duhet të hapte edhe një diskutim publik mbi këtë çështje e jo të fshihet pas targës amerikane që nuk respekton semafor në Shqipëri.

http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=331004#tab