Nuk ka më asnjë dilemë, LSI dhe PD janë me një plan thuajse të përbashkët për formën në drejtësi. Pas disa ditësh heshtje LSI vendosi të sqarojë pozicionin e saj pas propozimit amerikan për reformën në drejtësi. Nënkryetari Petrit Vasili e bëri të qartë se "Lëvizja Socialiste për Integrim ka vetëm një plan, që nga fillimi i Reformës, Planin A, me konsensus dhe sipas Komisionit të Venecias". Vasili u deklarua kundër një drafti ekspertësh duke sjellë si shembull përvojën me kompaninë britanike Crown Agents. "Askush nuk duhet ta trajtojë këtë reformë si alibi elektorale për zgjedhjet e radhës, pasi reforma duhet t'i shërbejë vendit për 30 vitet e ardhshme. Ne kemi respekt për punën e ekspertëve, por nuk jemi republikë ekspertësh. Shqipëria është një Republikë Parlamentare. Ishim ne që votuam për "Croën Agents" si kompani ekperte për të na rritur të ardhurat nga doganat, por rezultati ishte i hidhur. Ndaj në emër të ekspertëve nuk mund të bëjmë eksperimente me Kushtetutën"-theksoi nënkryetari i LSI-së. Praktikisht koalicioni i majtë duket në krizë dhe kjo shpjegon edhe nervozizmin e Partisë Socialiste, e cila është rrjeshtuar pas ndërkombëtarëve, e ndërgjegjshme se nuk ka votat për ta kaluar reformën në parlament duke sjellë si argument investimin e ndërkombëtarëve në këtë proces.