Në kohën kur ambasada amerikane ka marrë një rol protagonist në negociatat për reformën në drejtësi, duke imponuar një draft që u jep kompetencë ndërkombëtarëve për kryerjen e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, zbulohet se investimi i ambasadorit për drejtësinë ka prekur edhe çështje konkrete ose nën hetim. Sipas asaj që publikon gazeta "Dita", ambasadori Donald Lu i ka dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla një vit më parë ku i shpreh shqetësimin e tij lidhur me hetimet që po bëheshin në atë kohë ndaj Bankers Petroleum.
Në letrën e publikuar nga gazeta "Dita" diplomati i lartë amerikan shkruan se motivet politike dhe presioni publik të mos ndikojë në vendimin e organit të akuzës.
Pas ndotjes së madhe në Patos Marinzë për shkak të shpërthimit të tubacioeneve të Bankers, Prokuroria mori të pandehur shtatë persona të kompanisë, gjashtë prej të cilëve të huaj. Publikimi i kësaj letre vjen një ditë pas debatit për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut dhe qëndrimin e ashpër të LSI-së për përjashtimin nga negociatat. Një sulm i drejtëpërdrejtë për ambasadorin, pozicioni i të cilit kompromentohet dukshëm me ndërhyrjet në punët e drejtësisë.

Letra:

I dashur zoti Llalla,

Qeveria e SHBA shpreh interesin e saj lidhur me vendimin e Prokurorisë së Fierit, për të nisur ndjekjen penale kundër shtatë punonjësve të Bankers Petroleum (gjashtë prej të cilëve janë punonjës të huaj), lidhur me incidentin e pusit të Patos-Marinzës.
Ne presim që motivet politike dhe presioni publik të MOS ndikojë në vendimet e organit të akuzës.
Ambasada e SHBA-së po e ndjek nga afër këtë çështje, me pritshmërinë që sistemi gjyqësor shqiptar të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare të paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit.
Përfaqësues të kompanive të huaja që po shqyrtojë mundësinë e investimit në Shqipëri, do t’i kushtojnë vëmendje shumë të afërt kësaj çështjeje dhe mesazhit që ajo dërgon, mbi paanësinë e procedurave gjyqësore në Shqipëri.

Sinqerisht, Donald Lu