Azotiku i Fierit, një vepër industriale e ndërtuar në vitet 1960, po shkatërrohet dhe një nga oxhaqet e tij është shembur. Uzina, e cila prodhonte plehra kimike si nitrat amoni dhe më vonë ure, kishte një kapacitet të madh prodhimi që arriti deri në 320 mijë ton në vit në fund të viteve ’80.

Ajo u ndërtua me financim kinez, por teknologjia dhe pajisjet u siguruan kryesisht nga kompani europiane, me bashkëpunim ndërkombëtar në instalim. Pas rënies së komunizmit, uzina doli jashtë funksionit dhe në vitet e fundit është çmontuar dhe shitur për skrap.

Pak ditë më parë, hapja e një tenderi për monitorimin e ndotjes në zonën e ish-Azotikut në Fier riktheu vëmendjen tek problemet mjedisore të trashëguara prej dekadash. Në këtë zonë ndodhen ende rreth 40 tonë lëndë kimike të rrezikshme si arseniku, cianuri dhe mërkuri, të cilat rrezikojnë shëndetin e rreth 5 mijë banorëve përreth.

Monitorimi synon matjen dhe analizimin e gjendjes mjedisore, me fokus te substancat më të rrezikshme. Megjithatë, ende mungon një studim i plotë mbi ndotjen e tokës dhe ujërave nëntokësore, një kërkesë e vendosur edhe nga Bashkimi Europian.