Lexoni sesi shprehen në rrjete sociale apo në media të caktuara njerëz të Partisë Demokratike. Njëherë ashtu, e njëherë kështu. Me konsistencë dhe skuthëri po mbrojnë vetëm një gjë: Sali Berishën.

Po vënë bidonin e tyre në radhën e favoreve të nesërme nga lideri 82 vjeçar, nga i cili ka mbijetuar një vulë, një logo dhe Kilometri i fundit.

Legjitime e gjitha. Padyshim. Kjo është demokracia. Problem është I natyrës politike: pse sot PD-ja po e gjykon më shumë protestën sesa Kryeministri?!

Pse ajo nuk është komode as ta denoncojë atë me termat që di dhe do dhe as të përfshihet në të?

Arsyet janë të kuptueshme. Të përfshihet e di se nuk do të ketë rol drejtues. Ta denoncojë nuk e bën dot pasi protesta tashmë ka hyrë në ditën e 10-të dhe nuk ka se çfarë të thotë. Plus që opozita me përkufizim duhet të jetë pro kundërshtimit të qeverisë.

E gjitha kjo vjen nga fakti se një ndër arsyet themelore për PJESËMARRJEN në protestë është impotenca e PD-së, ambiguiteti i të ashtuquajturës mbijtesë ndaj regjimit, i cili e shpërblen herë pas here dhe jo keq. PD-së i mungon morali për të aderuar në një lëvizje që tejkalon kufirin e vet partiak dhe të temave politike për të cilën e ka patur bulevardin të hapur. I mungon pikërisht ai moral që do ta shdnërronte nga OPOZITË në SHUMICË, me ndihmën e këtyre qytetarëve që dalin sot në protestë.

E vetmja shpresë që kanë tashmë është ta denigrojnë; kanë nisur ta bëjnë. Por presin pjesëmarrjen që të dalin hapur. Do deklarojnë se fituam, se ne jemi opozita për të mbetur përjetë aty ku janë. Shëndeti se të tjerat rregullohen.