Në një konferencë për mediat, pas përfundimit të misionit faktmbledhës në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, delegacioni i eurodeputetëve të Grupit të Gjelbërve në Parlamentin Europian paraqiti gjetjet e vizitës dhe shqetësimet e ngritura gjatë takimit me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj.

Kryetarja e delegacionit të PE-së, Tineke Strik, tha se pavarësisht justifikimeve për këtë projekt, qeveria shqiptare nuk kishte dhënë garanci për mbrojtjen e mëtejshme të zonës.
 

Dëmet e shkaktuara deri tani përbëjnë shkelje të qarta të Direktivës së BE-së për Shpendët dhe Direktivës për Habitatet. Ministri këmbënguli se këto ndërhyrje ishin të nevojshme për kryerjen e vlerësimit të ndikimit në mjedis, Ne i shpjeguam se nuk mund të ndërtosh fillimisht dhe më pas të vlerësosh nëse ndërtimi është i pranueshëm. legjislacioni dhe standardet europiane duhet të respektohen, pavarësisht statusit të pronësisë së tokës.

Eurodeputetja Strik tha se ministri Jaupaj kishte premtuar një afat 20-ditor për konsultime publike dhe ishte justifikuar për mungesën e tyre me faktin se projekti bëhet në një pronë private, gjë që për eurodeputeten nuk qëndron pasi bie ndesh me standardet e BE-së.

Megjithatë, nuk morëm asnjë garanci se aktivitetet do të ndalen pra shqetësimet tona mbeten. Nuk mund ta përkeqësosh fillimisht situatën dhe më pas të thuash se pas një viti e gjysmë do ta harmonizosh me standardet evropiane. Deri atëherë dëmi është bërë.

Eurodeputetet thanë në konferencën për shtyp se ministri Jaupaj nuk dha garanci as për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore në ligjin për Zonat e Mbrojtura, kërkesë e miratuar në rezolutën e PE-së në qershor, duke ia faturuar këto ndryshime procesit të harmonizimit të ligjeve me ato të BE-së deri në fund të vitit 2027.

Strik ishte propozuesja e amendamentit 27-të që u përfshi në rezolutën e PE-së për progres-raportin e Komisionit Europian për ecurinë e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.

Ajo solli në vemendje faktin se ditën e seancës plenare kur u votua rezoluta drejtues parlamentar të Partisë Socialiste ndërmorën një hap të papreçedentë duke u kërkuar anëtarëve të PE-së që të mos e votonin këtë amendament, siç e denoncoi publikisht deputetja gjermane, Jutta Paulus, gjatë vizitës në Tiranë.

Sipas eurodeputetëve, çështja e Vjosë-Nartës ka nxjerrë në pah probleme më të gjera që lidhen me mungesën e transparencës, konsultimit publik dhe luftës kundër korrupsionit. Ata i bëjnë thirrje qeverisë të respektojë standardet europiane dhe të mos pengojë punën e institucioneve të drejtësisë.