Kompania turke “Vendeka Bilgi”, fituese e koncesionit për rrugën Durrës-Kukës, do të arkëtojë për 30 vite 596.1 milionë euro, kryesisht nga tarifat ndaj automjeteve. Por ky nuk është problemi. Sipas Top-Channel, shifra është 175.2 milionë euro më e lartë sesa ajo e ofruar nga bashkimi i kompanive të renditura në vend të dytë, çka ngre realisht dyshime për arsyen pse u përzgjodh fituese kompania turke. “Por çmimi nuk është dyshimi i vetëm i tenderit. Edhe procedurat pas tij ngrenë pikëpyetje. Në vendimin numër 634 të Këshillit të Ministrave përcaktohet se, çdo ofertues ka të drejtë të ankimojë tenderin brenda një afati 5-ditor nga data e publikimit të fituesit. Por, edhe pse afati po përfundon, Ministria e Transporteve ende nuk e ka publikuar vendimin zyrtarisht, as në faqen e saj dhe as në atë të Agjencisë së Prokurimeve Publike, duke mos lejuar kështu ankimimin e tij”, raporton TCH. Një histori që duhet thënë se nuk nis e mbaron në zyrën e Edmond Haxhinastos, pasi ngjan diçka më e madhe.

P.S Jemi kuriozë të dimë ç'mendim kanë ambasadorët Lu e Vlahutin për këto histori të suksesshme shqiptare. P.sh. a janë këto histori rrjedhojë e reformës në drejtësi? Na është thënë shpesh që reforma do sjellë investime. Për këto soj investimesh e ka pasur fjalën ambasadori gjerman për shembull?