Me të ngecur si përherë dhe pa asnjë transparencë. Kjo vlen të thuhet për sjelljen e kryeministrit Edi Rama, i cili sot ka zbuluar se në sheshin “Skënderbej” do të ketë një parking nëntokësor. Projektin fillestar ai ja la kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili në daljet e tij publike, por edhe në “dëgjesat”  me qytetarët foli përherë për një pedonale, por asnjëherë për parkim. Po sjellim këtu atë që ka thënë Veliaj më 5 prill kur bëri prezantimin:

“Projekti i prezantuar do të realizohet në 12 muaj dhe do ketë shtrirje sipërfaqësore që do të përfshijë brenda edhe pjesë të Unazës së Vogël. Për të evituar dhe minimizuar ngarkesat dhe mbarëvajtjen në jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës është menduar dhe planifikuar një ndarje e sipërfaqes të projektit në 11 lulishte të vogla të ndryshme. Në secilën nga këto lulishte do të punohet në mënyrë të pavarur, në mënyrë që me realizimin e secilës prej tyre qytetarët të kenë akses përdorimi, pa qenë nevoja të presin 12 muaj, të përfundimit të të gjithë projektit. Elementët kryesorë të këtij projekti, janë gjelbërimi, gurët natyral, uji që do të përdoret për shatërvanët dhe vaditjen për pjesët e gjelbëruara dhe ndriçimi i godinave rreth e qark sheshit dhe të vet sheshit. Gurët natyralë do të jenë në formën e pllakave të gurit, të trashësisë 10-12 cm, që do të merren nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit etj. Me këto gurë do të shtrohen rreth 41 mijë m2 sipërfaqe sheshe dhe trotuare. Sa i përket gjelbërimit, projekti do të sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Sipërfaqet e gjelbërta do të mbillen me 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh...”.

Fjalë të bukura, marketim i sipërfaqes për të fshehur atë që është interesi i vërtetë, poshtë saj: Parkimi nëntokësor, që do ta ndërtojë Qeveria me Bashkinë, siç thotë kryeministri, e të cilin Erjon Veliaj nuk ua rrëfeu qytetarëve. Dhe paradoksi i kësaj talljeje shkon më tej, kur termin Rilindje Urbane, nuk e ka përdorur Veliaj që foli për kthimin e sheshit në pedonale, por kryeministri që flet vetëm për parkingun.

“Nis së shpejti ndërtimi i parkingut nëntokësor të sheshit Skënderbej. Falë bashkëpunimit të ngushtë Qeveri-Bashki, sheshi i degraduar prej disa vitesh në një kartodrom absurd do t'u rikthehet plotësisht qytetarëve, në formën e një hapësire publike pa makina e të rrethuar nga një kurorë e gjelbër, e cila do të jetë një shembull rrezatues i Rilindjes Urbane”, shkruan kryeministri.

Mbetet për t’u parë sesi do të administrohet ky parkim, që është biznes i madh. Do të jetë parkim publik siç ka thënë para zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, këshilltari i Edi Ramës, Artan Shkreli, apo do të jepet me konçesion pasi të jetë ndërtuar me paratë tona. Se tashmë e kemi kulturë kombëtare këtë mashtrimin në mes të ditës me diell.