Kryeministri Edi Rama ka pranuar sot se fasada e stadiumit “Qemal Stafa” është prishur, por gurët janë ruajtur.  Dhe me emrin e Gherardo Bosio në dorëshkrimin e vet në Facebook, që referohet përherë nga Artan Shkreli, kryeministri ka bërë këtë sqarim:  

“Kujevënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër i'a mballosën fasadës së "Qemal Stafës") dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore. Ato basorelieve që turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore.

Fakti është që fasada monument kulture po trajtohet me të gjitha standartet profesionale nën mbikqyrjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me qendrën italiane të ekselencës në restaurim Palazzo Spinelli.  

Të gjithë elementët e gurtë të kohës po inventarizohen dhe do të rivendosen në vendin e tyre, njësoj siç kanë qenë në projektin e arkitektit të famshëm, ku në vend të dy mballomave vulgare prej betoni, do të realizohen dyert e parashikuara e dizenjuara nga Gherardo Bosio.

Prandaj, edhe njëherë ‪#‎QentëLeTëLehinKarvaniDoEcëPërpara dhe stadiumi i ri do të jetë përgjigja përfundimtare, për gjithë furtunat në gotën e dembelizmit mendor e të karshillëkut provincial ndaj të resë, që u ngritën e do të ngrihen, derisa Arena Kombëtare të imponohet me të gjithë rrezatimin e saj”.