Sot Dallëndyshe Bici, kryeinspektore e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka reaguar me një deklaratë kundrejt akuzave të Partisë Demokratike për shtesën pa leje të pallatit të deputetit Sadri Abazi. Nuk është reagimi i rëndësishëm, por gjuha e përdorur në të, një gjuhë që e gjejmë zakonisht te deklaratat e OSHEE-së së Ardian Çelës. Nuk kuptohet nëse kemi të bëjmë me instotucione, ndërmarrje apo organe shtetërore, apo me degë të PS-së. Është një gjuhë vullnetarësh politikë, që janë rentabël për kryeministrin në çdo drejtim e që na kujton se këto ente shtetërore më së pari janë të partisë. Nuk ka sesi lexohet ndryshe ky tekst i Dallëndyshe Bicit, i cili është  as më shumë e as më pak, një hartim i mësuar përmendësh.

“Në cilësinë e Kryeinspektores së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit,  hedh poshtë me neveri deklaratën denigruese, shpifëse dhe të turpshme të Partisë Demokratike në adresën time! Eshtë e turpshme deri në kufijtë e të pabesueshmes që një parti politike të denigrojë publikisht me akuza të sajuara dhe me gjuhën më të ulët të mundshme, një grua dhe drejtuese të një institucioni që flet me punë, fakte, shifra në një front tepër të vështirë. Turp për Partinë Demokratike! Turp për Lulëzim Bashën! Keqardhje për zëdhënësen e Partisë Demokratike që pranon të lexojë publikisht një çarçaf  të tërë balte ndaj një gruaje dhe drejtueseje të një institucioni.

Eshtë qesharake që sot Partia Demokratike pretendon se paska një vendim prishje për një pallat në vitin 2010! Ndërkohë që zoti Basha, autori i çarçafit të baltës që ishte kryetar bashkie nga viti 2011 deri në vitin 2015, jo vetëm nuk e paska ekzekutuar këtë vendim, po tani më akuzon mua për një objekt të legalizuar sipas ligjit dhe ku po kryhen punime me dokumentacion ligjor!

IKMT ka kryer detyrën edhe pas denoncimit të zotit Basha ashtu si të çdo qytetari dhe ka rezultuar se pretendimi i ish-kryetarit të Bashkisë, nuk ka asnjë bazë ligjore. Une i them zotit Basha dhe gjithë zëdhënësve të tij, se sulmet e tyre të ulëta, shpifjet e tyre ekstreme dhe balta e tyre e shpifur, nuk më lëkundin aspak në kryerjen me përgjegjësi të detyrës time”, thuhet në deklaratë.