Konfuzioni i krijuar me kuotat dhe kriteret e pranimit në shkollat e larta u zbardh sot nga partia që për maturantët ka një vlerësim të veçantë, madje i ka bërë edhe deputetë në parlament. Për të treguar se LSI siç tha Ilir Meta është partia që zgjidh problemet, deputetja maturante Kejdi Mehmetaj dha versionin e LSI se për këtë problem.

Më poshtë deklarata e deputetes maturante të LSI-së:

Vlerësojmë se ka disa momente të cilat duheshin trajtuar me përgjegjësi të lartë për të evituar konfuzionin dhe konfliktin e krijuar.
Është një qëndrim jo i drejtë aplikimi i kritereve të reja në periudhën e përfundimit të shkollës së mesme. Kriteret për aplikimin në universitet duhet të ishin ato të vendosura që ditën e parë kur nxënësit filluan shkollën e mesme dhe rregullat e reja nuk duheshin bërë të vlefshme për ata që kanë filluar me një rregullore tjetër.
Një nga arsyet që ka komplikuar më tej situatën është edhe mungesa e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve. Pasojat e këtij moskoordinimi i vuajnë të rinjtë gjimnazistë dhe familjarët e tyre të cilët po kalojnë nëpërmjet vështirësish të pamerituara.
Kemi konstatuar gjerësisht një punë të dobët sa i takon informimit të gjimnazistëve për kriteret e reja. Duhet të ishte një detyrim për të gjithë stafin akademik informimi i vazhdueshëm dhe asistimi i nxënësve në përzgjedhjen e lëndëve, por edhe në plotësimin e saktë të formularëve.
Kemi ngritur shpesh nevojën për ndërhyrje në ligjin për arsimin parauniversitar, i cili do të përshtatej me ligjin e ri për arsimin e lartë, për të evituar paqartësitë dhe përplasjet. Mendojmë se kjo nismë, pra ajo e miratimit të një ligji të ri për arsimin parauniversitar duhet ndërmarrë sa më parë.
Gjithashtu, në vijimësi kemi ngritur shqetësimin për miratimin në kohë të akteve nënligjore për zbatimin e drejtë të ligjit të ri për arsimin e lartë, të cilat do të zgjidhnin në kohë këto probleme dhe do i hapnin rrugën zbatimit real të ligjit.