Gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera” i ka kushtuar sot një hapësirë historisë së një 33 vjeçari maroken, Fagrouk Hmidane. Ky i fundit ka refuzuar që të betohet mbi Kushtetutën italiane për të marrë nënshtesinë dhe kaq ka mjaftuar që autoritetet ta largojnë nga vendi. Hmidane ishte në Itali që në vitin 1998 dhe iu bashkua të atit dhe vëllait që punonin në Treviso. Të integruar në jetën e qytetit, i vëllai inxhinier, edhe Fagrouk u shkollua në Institutin Teknik dhe nisi punë si elektriçist.

Nga të gjitha të dhënat që sjell gazeta, Hmidane ishte një punëtor i ndershëm dhe i rregullt, kuestori i qytetit deklaron se nuk ka asnjë të dhënë për lidhje me ISIS, as ka bërë ndonjëherë thirrje radikalizuese. Ndryshimi i tij nisi tre vitet e fundit: la mjekër, nuk hante më drekë me kolegët, gruja mbante niqab. Nuk është pak për të rënë në sy në Europë ku fantazmat e radikalizmit shihen kudo. Por refuzimi për t’u betuar mbi Kushtetutë ishte i tepër për ministrin e Brendshëm, Angelino Alfano, sipas të cilit “Hmidane na përçmon”. Sipas tij ai refuzon parimet e kushtetutës, barazinë e femrës dhe mashkullin etj.. A mjafton kjo për të deportuar një njeri që në raport me shtetin është korrekt? Sa italianë mund të ketë që përçmojnë parimet kushtetuese aktuale? Ku t’i deportosh këta?
Ndoshta Alfano, i njohur tashmë për amplifikimin mediatik të rasteve të izoluar si sukses i nuhatjes së tij dhe institucioneve në varësi, kërkon të bëjë një politikë që helmon edhe më shumë njerëzit(http://www.corriere.it/cronache/16_settembre_09/espulso-l-imam-che-rifi…).

Ky rast vjen në lidhje, ndonëse ka profil më të ulët, me atë që po ndodh në Gjermani. “Deutsche Welle” shkruan se partia simotër e CDU-së, kristiansocialët, do të mbajnë një mbledhje kryesie ku do të kërkohet një “Gjermani për gjermanët”.

“Në të ardhmen duhet të jetë në fuqi: përparësi për migrantë nga bota kulturore kristjane-oksidentale", thuhet në dokumentin të cilin e ka marrë Agjencia Gjermane e Lajmeve “DPA” dhe revista "Der Spiegel". "Një ligj i tillë është një kundërshtim i qartë i migrimit ilegal. Një shtet duhet të vendosë vetë kë duhet të pranojë - nuk janë migrantët që e vendosin këtë". Më tej CSU kërkon: "Gjermania duhet të mbetet Gjermani"”, raporton DW(http://www.dw.com/sq/csu-gjermania-duhet-të-mbetet-gjermane/a-19536820).