Sot u bë e ditur në media se dje në mbrëmje në kryeministri ka qenë për një takim me kreun e qeverisë, ambasadori amerikan Donald Lu dhe Aleksander A. Arvisu. Në të kanë marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla. Duhet thënë se zyra e Kryeministrisë nuk e ka përcjellë për mediat takimin në të cilin bie në sy prezenca e pasuesve të Edi Ramës, por edhe Arvizusë, dikur ambasador në Tiranë dhe aktualisht me detyrë, zv.ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Sundimit të Ligjit dhe Trafikut Ndërkombëtar të Drogës. Më faqen e Departamentit të Shtetit thuhet se në këtë detyrë Arvizu drejton programet për Afrikën dhe Lindjen e Mesme si dhe mbulon programin për Partnershipin dhe Ndihmën për çështjet e Drejtësisë Penale që lidhen me aktivitetet e drogës.

Prezencën e tij në Tiranë e ka përcjellë zyrtarisht kreu i Kuvendit Ilir Meta, i cili ka patur një takim me Arvizu. Sipas njoftimit të Zyrës së Shtypit të Kuvendit, në takim “u bisedua mbi ecurinë e reformës në drejtësi, mbi bashkëpunimin në drejtim të sundimit të ligjit dhe për luftën kundër trafiqeve të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Pra asgjë konkrete nuk sqarohet.

Disa vërejtje mund të bëhen gjithsesi: e para se Shqipëria ka kohë që po hynë në listën kryesore të vendeve prodhuese dhe trafikuese të hashashit. Këtu po flasim për një ekonomi informale me përmasa territoriale nacionale.

Së dyti, vizita erdhi ndërkohë që ambasadori amerikan Lu, ka mbajtur heshtjen për dukurinë e drogës për të cilën foli vetëm dy ditë para se Arvizu të ishte në Tiranë. Dhe në këtë kuadër nuk ka sesi të mos bjerë në sy mungesa e ministrit të Brendshëm në çdo takim, gjithnjë nëse ajo që na thotë zyra e Ilir Metës, pra se është folur për ligjin, reformën dhe drogën, është e vërtetë. Përndryshe diçka tjetër mbahet e fshehtë nga publiku.

Së fundmi, mund të jetë rastësi, por kjo është një vizitë shumë e afërt me mbërritjen në Tiranë të grupit të muxhahedinëve iranianë.