Ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima ka reaguar një ditë pas deklaratës së ambasadorit amerikan Donald Lu, për një listë të zezë me politikanë të inkriminuar dhe të korruptuar, mes të cilëve edhe Koçi Kokëdhima. Ish-deputeti e lidh qëndrimin e ambasadorit amerikan me intrigat që e nxorën Kokëdhimën jashtë parlamentit, duke mos përjashtuar nga ky skenar as partinë e tij. Ish-deputeti socialist i Vlorës ka dhënë edhe një përgjigje për pasurinë e tij, meqënëse u akuzua si i korruptuar.

Pjesë nga deklarata e Kokëdhimës:

"Zoti Donald Lu më cilëson mua si politikan të korruptuar. Kjo deklaratë nëpërkëmb në mënyrë flagrante jo vetëm etikën diplomatike, por edhe atë qytetare. Ambasadori i nderuar e bën këtë akuzë pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa iu referuar asnjë burimi dhe më rreshton mua me njerëz të dënuar për vepra nga më të rënda penale në gjykata të ndryshme. Gjithë jetën kam punuar në biznesin tim. Mediat që unë kam drejtuar janë ndeshur ditë për ditë me qeveritë e korruptuara të këtij vendi dhe kane qenë tribuna e luftës kundër korrupsionit. Për 20 vite me radhë kam paguar kostot e kësaj lufte dhe qendrese të pashembullt. Do ta kisha shumë më të lehtë të bëhesha me qeveritë si shumë media të tjera. Por nuk e kam bërë kurrë, kam qëndruar në anën e qytetarëve dhe jo të pushtetit, pasuritë i kam bërë me punë të ndershme, nuk erdha në politikë për të bërë para dhe as për të punuar për vete. Erdha në politikë i pasur për të punuar për vendin dhe një karrierë të shëndetshme.

Shumë nga qeveritarët hyjnë në politikë të varfër dhe u bënë milionerë me korrupsion dhe duke tradhëtuar interesat e vendit. Në më pak se tre vite në politikë kam qenë deputet i Sarandës dhe Himarës. Kam bërë punë për të ndihmuar njerëz për të luftuar korrupsionin në shërbimet publike, kurrë s’kam pasur funksione shtetërore përvec këtyre më pak se tre vite kur isha deputet. Këto dekarata të pavërteta nga ambasadori i nderuar në adresën time janë të ndikuara nga ata njerëz që goditën mandatin tim në Kushteuese dhe nga arsenali i jashtëzakonshëm i shpifjeve dhe intrigave të politikanëve të Tiranës që nxijnë njëri-tjetrin sa në një ambasadë në një tjetër. Fatin e karrierës sime në politikë nuk do ta vendosin intrigat dhe goditjet e ulëta të politikanëve të Tiranës, vetëm qytetarët e këtij vendi".