Në Tiranë më datë 18-20, do të organizohet për herë të parë Samiti i Diasporës shqiptare. Personalisht u jam shumë mirënjohës e faleminderues, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Drejtorisë së Diplomacisë Publike të qeverisë shqiptare, për ftesën dhe për dërgimin e rregullt të informacioneve, me qëllim që të më bëhet më i lehtë udhëtimi për pjesëmarrje në Samitin Diasporës në Tiranë. Faleminderoj, po ashtu, edhe sekretaren e Parë të Ambasadës së Shqipërisë në Stokholm, Rozeta Fejzulla, që po ashtu, me qëllim të lehtësimit të procedurave në kufi nga organizatoret e aktivitetit, më kontaktoi në mënyrën më profesionale e korrekte.

Të nderuar organizatorë të Samitit të Diasporës,

Të nderuar pjesëmarrës,

Arsyeja se përse nuk do të marr pjesë në Samitin e shumëpritur të Diasporës, është sepse samitit do t’i adresohet edhe Kryetari i kontestueshëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Hashim Thaçi nuk është bartës i vlerave njerëzore. Ai është prodhues e përçues i së keqes, i kiçit, i shundit… Ky njeri, për qytetarët e Kosovës, është sinonim i dhunës: Ai është personi i cili ka varfëruar politikën, ekonominë dhe kulturën e shqiptarëve të Kosovës. Është po ky, z. Thaçi që ka shkatërruar kulturën, gjuhën, historinë dhe kombin shqiptar në Kosovë.

“Pyka”e thaçiane ka përçarë diasporën e bashkuar shqiptare. Sjellja e tij i ka mbyllur portat e Kosovës për kthimin e mërgimtarëve në Kosovë. Shteti i tij sapo ka vrarë edhe birin e mërgimtarit të kthyer nga Zvicra…. Ai dhe vetëm ai, është shpresëvrasësi e jo shpresëhënësi i shqiptarëve në diasporë!

Të nderuar,

prezenca e tij fizike në këtë samit, vetëm sa do e rëndonte shpirtin e lodhur të diasporës shqiptare. Ai, fjala dhe retorika e tij është përcarëse, e jo permbedhëse për shqiptarët në diasporë: Është, po ky aktor politik, i cili qytetarët e vet i ka shndëruar në refugjatë e të huaj në shtëpi të vet. Është ky njeri, po, është ky njeri që shteti i tij, sot, në shekullin e XXI, ka burgjet me të burgosur politik e zyrat plot me kriminel në politikë…

Ja, kjo është arsyeja e mungesës sime në Samitin e aqpritur të Diasporës.

P.s. Kërkoj mirëkuptim publik nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Drejtorisë së Diplomacisë Publike, për heshtjen revoltuese, reagimin tim përjashtuese ndaj letrave të dërguara nga ana e tyre.

Sinqerisht,

Gëzim Mekuli

P.S.  Faleminderoj po ashtu edhe z. Mark Gjonaj për ftesën e sinqertë vëllazërore.

*Titulli i autorit: Ja arsyet përse nuk do të marr pjesë në Samitin e parë të Diasporës në Tiranë