Trump bën bujë dhe flet fare troç, por ndoshta nuk e ka dhe aq gabim. Ose jo 100% gabim, sa kohë që premisat e tij janë thjesht interes më parë e mandej solidaritet. Ndryshimet që po paralajmëron presidenti amerikan i sapozgjedhur, sidomos në fushën e sigurisë janë paraprirë në fakt nga lufta në Ukrainë dhe dalja e në skenë e të ashtuquajturës Luftë Hibride që e kapi Perëndimin të papërgatur. Nëse NATO nuk është e dalë kohe siç thotë Trump, staregjia dhe orientimi i saj do të duhet të ndryshojë. Këtë opinion përcjell një shkrim i datës 11 janar 2017, publikuar në “Brookings”, një nga qendrat më autoritare në fushën e politikës së jashtme. Në shkrimin me autor Michael E. O’Hanlon konstatohet menjëherë se mendimi për mjedisin e sigurisë në Europë, prezencën dhe ndikimin e Rusisë në destabilizimin e saj, kërkon patjetër ndryshime në struktura.

O’Hanlon sugjeron një arkitekturë të re për Europën Qendrore, ai shton se NATO nuk mund të zgjerohet më tej, sidomos me vende si Ukraina apo Gjeorgjia, të cilat shumë mirë mundet edhe të jenë neutrale.

Kjo qasje i përgjigjet realitetit, por ajo cedon drejt Rusisë në një kërkesë të kahershme të kësaj të fundit. Sigurisht autori shton se parakushti për këtë strukturë të re është sovraniteti i të gjitha vendeve, të vogla apo të mëdha, në zgjedhjen e formës së qeverisjes. Në mbështetje të këtij koncepti vijnë edhe disa dokumente kryesore ndërkombëtare.

“NATO dhe SHBA duhet të bashkëpunojnë me shtetet neutrale në rajon dhe Rusinë për të zhvilluar një arkitekturë sigurie alternative për ato vende që do ta garantonin sovranitetin e tyre pa u anëtarësuar në NATO…”, shkruan O’Hanlon, duke shtuar se këto vende nuk do të ishin pjesë e asnjë zone ndikimi. Për të mbërritur në këtë piikë ai sugjeron se edhe Rusia duhet të premtojë angazhimin e vet për garantimin e sigurisë së Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë dhe shteteve të tjera në rajon.

Duke e parë këtë lëshim si kufirin e mundësive të Perëndimit në një botë dinamike, mendohet se në të njëjtën kohë ai i jep edhe Rusisë hapësirën që të inkuadrohet në bashkëpunim pa vënë në veprim kapacitetet destruktive. Sidoqoftë suksesi më i madh i Kremlinit është ndryshimi i mendimit në Perëndim për mundësitë dhe funksionimin e aleancës perëndimore që po merr në konsideratë një lloj kordoni neutraliteti në kufirin me Rusinë. Diçka që para disa viteve as që mund të mendohej.

https://www.brookings.edu/blog/order-from-chaos/2017/01/11/addressing-t…