Grid Rroji, ish – këshilltar i Sali Berishës, mandej i larguar, i jep një intervistë gazetës “Tema”. Rroji është bashkënismëtar i “Bleta Shqiptare”, një nismë politike që edhe ajo synon të ndryshojë Shqipërinë. Komentet e Rrojit, prej kohësh në emigracion në SHBA dhe i prezantuar si një ekspert i shkencave politike, kanë njëfarë rëndësie për tonin alarmant dhe për përmbajtjen konspirative që hedhin për publikun.

Thotë Rroji ndër të tjera:

Këta(Paria) punojnë së bashku për t’i mbajtur shqiptarët skllevër në këtë burg gjigand që kanë krijuar, dhe për këtë janë të gjithë fajtorë pa dyshim. Skllav nuk të bën mungesa e mallit dhe e ushqimit, por mungesa e lirisë, dinjitetit dhe sigurisë njerëzore. Skllav të bën pafuqia dhe pamundësia për të shpërthyer prangat e mendjes nga propaganda e shfrenuar. Skllav të bën ajo pari që në vend që të punojë për shqiptarët punon për ç’shqiptarizimin e vendit. Nga viti 1990 ne po shndërrohemi në sajë të maskarallëkut dhe krimit të kësaj parie në një shtet multi-etnik i sunduar nga pakicat. Nëse në vitin 1990 ishim 95% shqiptarë, sot kemi mbetur vetëm 70%. Pikat kyçe të politikës, ekonomisë dhe strukturave shoqërore kontrollohen me dorë të hekurt nga pakica dhe grupime që punojnë qartazi për një agjendë jo shqiptare  

Tani, një intelektual serioz do të duhet të jepte ndonjë argument serioz për këto lloj akuzash, pasi të lexosh lëvizjen e lirë dhe ikjen për arsye ekonomike nën lentet e konspiracionit antishqiptar, kjo do të thotë të jesh më keq se vetë Paria që kaq shumë e shan. Shteti shqiptar, apo pushteti e ka shumë të vështirë të ndjekë një politikë të tillë segregimi dhe deshqiptarizimi edhe po të dojë; nuk ka as kapacitetet dhe as strukturat për ta bërë një gjë të tillë.

Ngjyrimet që përdor Rroji për njerëzit që qeverisin duke i paraqitur ata jo për atë që janë, pra thjesht hajdutë dhe matrapazë, refleks i një mentaliteti të përhapur gjerësisht, por si shtama që duan të alienojnë kombin në trojet e veta, janë të pambështetura.

“Parimi i tyre ka qenë, “ne vjedhim e vrasim këtu lart, ju vidhni e vrisni aty poshtë, e të gjithë të kënaqur se kemi lekë”. Kush nuk pajtohet me ekulibrin e tyre kriminal duhet të ikë, dhe këta i kanë hapur portat për të gjithë ata që nuk duan të bëhen pjesë e bandave të tyre. Nuk ju bind Kukësi? E zbrazën duke i dërguar kuksianët në Gjermani. Nuk ka punë në Lunxhëri e Labëri? E kriminalizuan duke lejuar mbjelljen e hashashit. Por, një shoqëri e ndërtuar mbi krimin nuk mund të mbijetojë gjatë, ajo kriminalizohet, shkërmoqet dhe shpërbëhet si Somalia e Haiti. Simptomat e këtij grimcimi të frikshëm shoqëror që po i çon shqiptarët drejt greminës po bëhen gjithnjë e më të qartë për të gjithë. Mirëpo ne shqiptarët nuk jemi Haiti, ne jemi popull krenar që nuk e pranon zgjedhën përgjithmonë. Ndaj dhe ky grimcim, po nuk u ndryshua rrugë, do të çojë në një përplasje shoqërore të frikshme, edhe më të egër se ajo e vitit të tmerrshëm 1997”, shton Rroji.

Kurioze të merret vesh nëse Rroji ka qenë jashtë apo në Shqipëri në vitin 1997, pasi për mentorin e tij Shinasi Rama, dihet që ka qenë jashtë. Politika, e sidomos ekspertët e shkencave politike duhet të jenë pak më të kujdesshëm në përdorimin e disa termave dhe aktualizimin e tyre për qëllime politike. Kujtojmë këtu se kjo mëri është e pajustifikuar, pasi armiku i madh i popullit, Sali Berisha, është në opozitë.