Që teatrit PS-LSI i ka dalë boja kjo nuk fshihet më, por  deklaratat e fundit të ministrit të Mjedisit Lefter Koka duket se  kanë ekspozuar edhe publikisht përmasën reale të mënyrës si këto dy parti i të Shqipërisë Europiane i janë servirur publikut.Në përgjigje të akuzave të ministrit të LSI-së për ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, kryeministri Rama ka ndarë me ndjekësit e vet në profilin e tij në Facebook, anketën e KE për indeksin e besimit te institucionet, e posaçërisht te policia e Shtetit.

Pas anketimit të bërë disa muaj më parë nga Komisioni Europian, POLICIA E SHTETIT konfirmohet përsëri si institucioni më i besuar i shqiptarëve në Indeksin e Besimit tek Institucionet- shkruan Rama, duke e shoqëruar postimin me grafikun përkatës dhe shprehjet e njohura të tij, Rilindje, Shqipëria e Gjeneratës Tjeter dhe Qente le të lehin, karvani ecen përpara.

Një metaforë që kryeministri e ka shoqëruar shpesh me buzëqeshjen e tij, duke iu referuar opozitës, por që mesa duket  nuk e kursen edhe për ministrat e Rilindjes. Vështirë të kuptohet në këtë situatë se kush është karvani dhe kush janë qentë, e sigurtë është se edhe nga mazhoranca nuk mungojnë lehjet.