Ngjarjet që dominuan politikën ditët e fundit janë padiskutim dy. Shpërthimi dhe shkarkimi i Ylli Manjanit dhe përplasja mes kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ambasadorit amerikan Donald Lu.  A janë dy ngjarje të veçuara apo të lidhura me njëra tjetrën?

Ylli Manjani sulmoi ashpër kryeministrin duke folur për vendime të paligjshme të kreut të qeverisë, tendera korruptivë, mosveprim të policisë në rastin Balili dhe ministra që flenë me dashnoret në hotelin “Santa Quaranta”, duke i dhënë një lëkundje të fortë koalicionit PS-LSI.  Ilir Mborja thotë në shkrimin e tij se “tërmeti” i stimuluar Manjani ishte një test prove i Ilir Metës ndaj Edi Ramës dhe kështu u provua nga deklaratat e Ilir Metës pas rebelimit të ministrit të tij. http://www.respublica.al/2017/02/01/kumuria-e-rrug%C3%ABs-s%C3%AB-elbasanit.  Koalicioni vazhdon, por asgjë nuk është e qetë. Edhe tensioni është sërish i lartë.

Jo më kot Ylli Manjani nuk u distancua nga LSI që në thonjëza “e shiti” për Edi Ramën, por  në një përgjigje në facebook pas intervistës së Ramës në Ora News i uroi koalicionit “shërim të shpejtë”.  Me pak fjalë Manjani la të kuptohet se aleanca PS-LSI është e sëmurë rëndë, duke shantazhuar PS-në.

Dy ditë pas “bombës” artizanale me emrin Manjani, shpërthen një tjetër “bombë”, ajo e Adrtiatik Llallës, i cili akuzon ambasadorin amerikan si shantazhues dhe njeri sorosian. Ky detaj në dukje propagandistik përputhet si argument me retorikën e Ilir Metës se Sorosi është një prej atyre që ka punuar kundër LSI-së, siç pohon edhe ai vetë në këtë intervistë të para disa javësh në emisionin “Zonë e Lirë” ku thotë se” ka elemente të njohur si sorosianë që kanë punuar ethshëm me qëllim portretizimin e LSI-së, si një forcë me probleme. https://kryetari.parlament.al/2016/01/31/intervista-e-kryetarit-te-kuvendit-z-ilir-meta-ne-emisionin-zone-e-lire-te-gazetarit-arjan-cani-ne-tv-klan-e-plote/

Pra në këtë pikë duket se Ilir Meta dhe Adriatik Llalla janë në të njëjtën linjë, thonë se janë target i njerëzve "sorosianë" në Shqipëri, pjesë e të njëjtit Klan ose jo kjo mbetet për t’u provuar. Një trjetër element i përbashkët që i lidh të dy këto histori është edhe mirëkuptimi që si Meta si Llalla kanë gjetur te Nishani. I pari për çështjen Balili dhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku Edi Rama ka refuzuar të bëhet pjesë dhe i dyti për raportimin te presidenti për shqetësimet e ambasadorit amerikan.

Çështja Kelmend Bali që bashkoi në këtë rast Ilir Metën me Bujar Nishanin po ashtu duket e kordinuar. Një  krizë që siç shkruan gazeta “Kathimerini” u eksportua në Shqipëri nga një hetim i policisë ngreke dhe DEA-s amerikane. http://www.kathimerini.gr/894445/article/epikairothta/ellada/ereyna-ths-elas-prokalei-politikh-krish-sthn-alvania. Opozita duket se mbështet këtë retorikë ndonëse duket e investuar jo drejtëpërdrejtë në këtë tension. Sulmet e saj ndaj ministrit të Brendshëm dhe kordinimi me presidentin e bëjnë dhe atë pjesë të kësaj valle që po heqin të gjithë nën dirigjimin e iIlir Metës.