Shkrimi i djeshëm në Washington Times, gazeta e dytë në Washington, ka pështjelluar Tiranën zyrtare dhe rojtarët e dritave të qeverisë. Ndonëse është një shkrim nga ata që duket se janë të lobuar për t’u botuar, sërish mendimi se një gazetë amerikane riprodhon të njëjtat akuza që ka sot Ilir Meta dhe Sali Berisha për Donald Lu, ka infektuar fillimisht apologjetët e ambasadorit amerikan. I pari në listë është padyshim Spartak Ngjela, statuset në Facebook të të cilit janë manifestime depresioni dhe deliri të programuara për t’u përcjellë si avokati serioze. Nuk ka asnjë vlerë të sillet ajo që thotë Ngjela, pasi askush nuk ka pse të humbasë kohën.

I dyti është shfaqur Rexhep Qosja, një figurë publike kosovare e afërt me regjimin e Enver Hoxhës dhe me të majtën shqiptare në përgjithësi. Ai ka dhënë një intervistë për dritare.net ku thotë ndër të tjera:

Unë e kam përcjellë prej fillimit ambasadorin amerikan Donald Lu dhe ambasadoren e BE, Romana Vlahutin. Pavarësisht atyre që janë thënë e shkruar, unë reagimet e tij, paraqitjet e tij, që në disa raste mund të duken pak të tepruara, i kam quajtur të dobishme për Shqipërinë, e ka ndihmuar procesin e reformave që po bën qeveria në Shqipëri. Nuk e di a është e vërtetë ajo që dëgjova, që Kryeprokurori e ka dërguar bashkëshorten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të lindë atje dhe që fëmija të fitojë nënshtetësinë amerikane. Nëse është e vërtetë, ai Kryeprokuror i Shqipërisë humb besimin që duhet të kenë shqiptarët ndaj tij, humb legjitimitetin e kryeministrit të Shqipërisë. Kjo për për bindjet e mia. Kur e dëgjova këtë lajm nisa të mendoj se ai kryeprokuror nuk meriton të jetë më kryeprokuror të Shqipërisë, mjerisht dhe i dhashë të drejtë ambasadorit Donald Lu. Në këtë pikë, unë nuk kam dilema. E tha bukur gazeta Tema, “Shqipëria do të deklarohet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo për Kryeprokurorin” dhe unë mendoj se Shqipëria është e deklaruar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për fatin tonë, interesat tona kombëtare dhe interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përputhur dhe Amerika e sheh se shqiptarët janë aleati i tyre i sinqertë, i natyrshëm, i kuptueshëm, i domosdoshëm.

D.m.th Qosja po ushtron pedagogjinë klerikale me lexuesin duke i thënë: Mos mendo, mos dëgjo çfarë thotë njëri dhe tjetri. Shikoju pasaportën, po qe amerikan mblidhe mendjen, mbyll sytë dhe ec përpara!

Ky lloj leksioni ngjan me atë predikimin e CNN në zgjedhje që u thoshte amerikanëve, “mos lexoni çfarë thotë ËikiLeaks se është e paligjshme. Tjetër punë media, sepse ne i zbërthejmë ato”.

Një qëndrim i moralshëm dhe që nuk udhëhihet nga interesa duhet të apelonte për të kundërtën. Pra jo bëhu me Llallën në vend të Lu, por gjyko atë çfarë thotë njëri dhe tjetri e pastaj secili del vetë në konkluzion. Janë këto lloj akrobacish banale që I presupzojë shqiptarët budallenj dhe viktima, ndaj në emër të së ardhmes dhe partneritetit strategjik me SHBA që e kanë kaq merak, këta rojtarë të lirisë, dalin përpara dhe shkartisin mendimet e mençura.

Natyrisht që secili është i lirë të zgjedhë mes Donald Lu dhe Adriatik Llalës, por të paktën ta bëjë nga ajo që thonë, e jo nga nënshtetësia. Pasi sipas gjasave djali i Llallës do marrë nënshtetësi amerikane e me të edhe Llalla vetë. Ç’të bëjmë pastaj, kë të zgjedhim, Lu apo Llallën? Apo të presim se çfarë xhevahireshe do thotë Qosja me Ngjelën?