Edi Rama duhet të jepte një përgjigje për kërkesën e opozitës dhe e dha. Përtej meritës që i njohu vetes se nuk vrau protestues si ish-paraardhësi i tij, kryeministri i vendit doli në monologun e fundjavës për të thënë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet dhe se protesta e demokratëve të thjeshtë po përdoret nga udhëheqësit e opozitës që nuk duan Vettingun, duke nënkuptuar në këtë mënyrë Sali Berishën dhe frikën që ai ka nga Reforma në Drejtësi.

Për çështjen e protestës dhe analogjive të saj me 21 Janarin, kryeministri thjesht gënjen hapur kur thotë se protestuesit e opozitës nuk bënë asgjë ndryshe nga sa bënë ata të 21 Janarit. Të paktën këto janë lehtësisht të verifikueshme, sepse ekzistojnë arkivat që tregojnë sjelljen e njërës apo tjetrës palë.

Mbi këtë gënjeshtër Edi Rama përpiqet të ndërtojë edhe shenjën e pabarazisë mes tij dhe paraardhësit të tij, çka në fakt nuk  shpjegon diferencën që ai propagandon.

Edi Rama thotë me të drejtë ndoshta se nuk ka pse të dorëhiqet dhe se çështjet e reformës zgjedhore diskutohen në një Komision ku opozita është e ftuar të marrë pjesë. Kjo nisur edhe nga fakti se artikulimi i opozitës për qeveri teknike është më i herët se protesta dhe ka qarkulluar si skenar edhe korrikun e kaluar.

Por po aq e vërtetë është se vullneti i tij dhe shumicës për të trajtuar me seriozitet reformën zgjedhore ka qënë i mangët duke i dhënë arsye opozitës të kërkojë garanci për zgjedhjet. Kryeministri këtë nuk e ka bërë dhe as ka shteruar një negociatë direkte me kreun e opozitës, tryezë nga e cila mund të dilte një zgjidhje ose jo, pas së cilës kryeministri mund të arrinte në përfundimin se protesta është një alibi për udhëheqësit e opozitës që nuk e duan Vettingun.

Vettingu ndërkaq ka filluar dhe me probleme madje, për shkak të emërimeve politike të qeverisë në institucionin që do të bëjë Vettingun dhe shortit të emërimeve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Dhe Vettingu nuk mund të jetë alibi për të mos kryer reformën zgjedhore, kur kanë mbetur 4 muaj para zgjedhjeve. Kujtojmë që dy zgjedhjet e fundit të organizuara nga administrata Rama kanë qenë me shumë probleme dhe të evidentuara edhe në raportet e OSBE-ODIHR. Përveç kësaj kryeministri është shumë i pabesueshëm pasi ka përgjegjësi direkte për futjen në parlament të të inkriminuarve dhe këtu opozita pavarësisht qëllimeve që ka, është në të drejtën e saj politike të kërkojë largimin e zotit Rama.  

Nga kjo pikëpamje, kryeministri nuk mund të fshehë përgjegjësitë duke gjetur alibi me reformën në drejtësi ashtu siç bëjnë edhe shumë ministra që kanë dështuar në punën e tyre. Komunikimi i fundjavës nuk jep asnjë garanci për një klimë normale politike, derisa edhe LSI të qartësojë pozicionin e vet në lidhje me këtë çështje.  

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154489692906523/