Pohimi nga kreu i Antimafies italiane për trefishimin e sipërfaqes së kultivimit të drogës ka nxjerrë në pah një problem serioz edhe sa i përket disa ambasadorëve në Tiranë. Duke patur një rol jo të vogël, ambasadorët, sidomos dyshja Lu-Vlahutin, kanë ndikuar jo pak në klimën e proceseve politike.

Kujtojmë këtu se ambasadori Lu u vu në krye të një proteste në verën e kaluar me anë të së cilës, duke kërkuar të bindë se aty ishte shoqëria civile, i bëri presion të hapur parlamentit që të kalonte një draft për reformën në drejtësi. Dështoi, pasi më 21 korrik u miratua një format i dakordësuar. Lojëra të ngjashme bëri edhe Vlahutin me njerëz të vet në zyra dhe misione, të dy pa thënë asnjë fjalë për drogën dhe implikimet e saj. Vlahutin madje nuk ka folur njëherë për dekriminalizimin, ndonëse Brukesli dhe Strasburgu prej nga ajo varet , na kanë rokanisur gjithë jetën me kërkesa për luftë ndaj krimit.

Sot që flasim kemi një ambasador të OSBE-së, ish-ambasador i Gjermanisë në Tiranë, që ndryshon versionet për paratë e drogës. Jemi pra në një situatë kur trupa diplomatike në Tiranë kërkon qetësi për qeverinë e Edi Ramës, duke pretenduar se çdo kundërshti ndaj saj lidhet me reformën në drejtësi dhe vettingun, i cili ka përjashtuar sipas disa zërave edhe njerëz të kualifikuar.

Nuk kemi asnjë shenjë, asnjë qëndrim nga këta dy ambasadorë të “botës demokratike” për protestën e opozitës, për zgjedhjet. As për hetimin e kreut të opozitës. Kemi parë se veprojnë ndryshe në raste të tjera. Kemi heshtjen e tyre dhe analizat që shfaqen si mballoma servilësh që përsërisin pa pushim se një nga arsyet pse protesta nuk ka perspektivë është pikërisht kjo heshtje e ndërkombëtarëve.

Ndoshta opozita duhet të bëjë diçka që t’i zgjojë, por duke u kujdesur që të mos e kthejë protestën në një vitrinë për vëmendjen e disa diplomatëve të diskredituar dhe të njëanshëm. Të cilët me siguri do të bëhen gjallë kur të ndjejnë se situata po acarohet.