Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert” si folës në “Eminent Lectures”, në Berlin. Në një fjalë të ndërtuar mbi pyetjen: “Përse e dëshirojmë Bashkimin Europian, kur euroskepticizmi është rritur në Europë?” kryeministri foli për rëndësinë e integrimit europian për Shqipërinë dhe Ballkanin, si instrument modernizues dhe forcë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

“Kushdo është i vetëdijshëm, - nënvizoi Kryeministri, - se nuk mund të jesh pjesë e BE-së, nëse nuk je në gjendje të flasësh me fqinjin, të bashkëpunosh me fqinjin, të rregullosh çështjet e së kaluarës në frymën e dialogut dhe të mirëkuptimit. Në këtë kuptim, Europa në rajonin tonë është një forcë shtytëse ende e fortë. Mund të thuash gjithçka për BE-në, por askush nuk mund të mohojë fuqinë e BE-së për ta mbajtur fort paqen dhe të parandalojë konfliktet. Ne nuk jemi duke rendur drejt anëtarësimit, por jemi gjithmonë e më shumë të dëshiruar për të mos humbur perspektivën europiane, si i vetmi horizont në sytë e njerëzve tanë, sepse do të ishte tepër vonë, nëse forcat antieuropiane do të zinin rrënjë në rajon”-theksoi Rama

“Nën rrugëtimin e përmbushjes së kritereve dhe standardeve të integrimit, Shqipëria ka ndërmarrë reformat më të mëdha europianizuese, duke veçuar reformën në drejtësi. Ne e dimë, - theksoi Kryeministri, - njerëzit tanë e dinë se, nuk mund të jemi anëtarë krenarë të BE-së, nëse kemi një sistem drejtësie që nuk funksionon.”