Çadra e opozitës duket se izolohet çdo ditë e më shumë në kauzën e saj për krijimin e një qeverie teknike. Vizita pa bereqet në Uashington dekurajoi dukshëm opozitën dhe kryetarin e saj që gjithsesi përpiqen të tregojnë se ndërkombëtarët janë me ta. Basha megjithatë nxorri një gjysmë justifikimi se partnerët janë të keqinformuar nga lobingjet e narkotrafikut pranë qeverisë por faktet janë kokëforta dhe me publikimin e disave prej tyre në media, drejtuesit e opozitës janë në pozitë edhe më të vështirë. Ardhja me duar bosh nga Uashingtoni nuk ishte i vetmi lajm i keq për opozitën.

Më 23 mars në postën elektronike të kryetarit të PD-së kishte mbërritur një letër  e nënkryetarit të CDU-CSU-së Franz Josef Jung, ku vihej theksi tek nevoja për të ndërruar kurs dhe për t’u futur jo vetëm në parlament, por edhe në zgjedhje.Është e vërtetë se partnerët ndajë shqetësimet e PD-së për blerjen e zgjedhjeve, krimin dhe drogën, por është dhe ana tjetër e medaljes që nuk i shkon për shtat opozitës ta thotë, mospajtimi i ndërkombëtarëve me bojkotin e parlamentit dhe zgjedhjeve. 

“Edhe ne jemi gjithashtu shumë, shumë te shqetësuar që në zgjedhjet e 18 qershorit mund të ketë fallsifikim të madh të zgjedhjeve si rezultat i blerjes së votave dhe mjeteve të tjera. Por ne mendojmë se është rruga e gabuar, që ky problem mundohet të zgjidhet përmes bojkotit parlamentar dhe deklarimin e mos regjistrimit për zgjedhjet e 18 qershorit, nëse qeveria e zgjedhur shqiptare nuk jep menjëherë dorëheqjen dhe të zëvendësohet me një "qeveri teknike"nga të gjitha grupet parlamentare”-shkruhet në letrën drejtuar Bashës.

Rrethi për PD-sa vjen e ngushtohet për aq kohë sa kërkesat janë për të hequr dorë nga kjo rrugë.“Duke qenë se ka mënyra të tjera për të ulur rrezikun e zgjedhjeve jo të drejta,do të doja t’ Ju drejtoja lutjen tonë urgjente, për t'i dhënë fund menjëherë bojkotit parlamentar, për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zbatimin e reformës në drejtësi dhe per t´u regjistruar për zgjedhjet kombëtare pa vendosur parakushtet e përmendura më sipër”-thekson më tej nënkryetari i CDU-CSU.Por edhe pse e ekspozuar keq për raportet me ndërkombëtarët PD dhe aleatët e saj rikonfirmuan përmes një deklarate se i qëndrojnë kushtet për qeveri teknike dhe zgjedhje pa Edi Ramën.